Ndalimi i kaosit të ndërtimeve

01/07/2014 00:00

Qeveria synon të ndalë kaosin e krijuar nga ndërtimet pa kriter duke propozuar ndaljen përfundimtare të legalizimit të objekteve pa leje dhe sanksione drastike për shkelësit e ligjit.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se projektligji për planifikimin dhe zhvillimin urban shfuqizon legalizimin e këtyre ndërtimeve dhe objekteve që nuk kanë respektuar kushtet e lejes së ndërtimit.

“Eleminohet një herë e mirë legalizimi i ndërtimeve pa leje dhe shfuqizohet akti normativ që parashikon legalizimin e ndërtimeve të kryera në shkelje të kushteve të lejes. Kundravajtësi sanksionohet me prishje apo konfiskim të punimeve të paligjshme dhe gjoba”, deklaroi Gjermeni.

Ministrja Gjermeni tha se ligji i ri synon disiplinimin e territorit dhe zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. Por deputetët në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese kërkuan mekanizma konkretë për të bërë të zbatueshëm një ligj që nuk ka funksionuar prej rreth 20 vitesh.

Në këtë pikë, kryetari i komisionit, Eduard Shalsi shprehu skepticizmin e tij lidhur me rolin e inspektoriateve të ndërtimit, duke kërkuar reformim thelbësor të kësaj hallke.

“A mund të bëjmë një ligj që të parashikojmë ndaljen e ndërtimeve pa leje dhe abuzimeve me lejet duke e kaluar kompetencën nga inspektoriatet tek një aurtoritet më i madh, duke përfshirë edhe Ministrinë e Rendit? Ndërkohë që kemi çdo pëllëmbë të territorit jashtë kontrollit”, deklaroi Shalsi.

Top Channel