Femrat me uniformë, kur gruaja mban armën

01/07/2014 00:00

Dikur, këto zonja në moshë kanë qenë frika e çdo armiku. Edhe pse janë pensioniste që nga viti 1993, nostalgjia për kohën kur mbanin uniformën dhe armët nuk është shuar ende.

Liljana, Eliana dhe Alfreda, janë tre nga grupi i 70 oficereve të para femra, që mbaruan shkollën ushtarake në vitet 1967-1969. Dashuria për uniformën ishte aq e madhe, sa që vajzat e dikurshme lanë qytetet e tyre të lindjes, për të studiuar në Shkollën e Bashkuar në Tiranë.

Me të përfunduar studimet e larta, oficeret e reja u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë, për të shërbyer në repartet ushtarake, apo në Ministri dhe Shtab të Përgjithshëm.

Gjatë kohës së studimeve, mes vajzave kishte lindur një miqësi e fortë, e cila vazhdon dhe sot e kësaj dite. Të dielën e parë të çdo muaji, 20 zonja nga grupi i ish-ushtarakeve mblidhen në këtë ambient, të marrë me qira me kontributin e përbashkët.

Nuk kanë më energjinë rinore të dikurshme, por miqësia e tyre është si vera… Sa më e vjetër, aq më e mirë. Kur mblidhen, kohën e kalojnë duke parë fotot kur mbanin uniformën, apo me diskutimet për nipat dhe mbesat.

Toga e Këmbësorisë së dikurshme sot i kalon kufijtë. Ish-ushtaraket, përveç Shqipërisë, jetojnë në Amerikë, Itali, Greqi e deri në Izrael.

Mblidhen çdo 7-8 Mars, duke organizuar udhëtime brenda dhe jashtë vendit. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, veteranet u mblodhën në Vlorë, në festimin madhështor.

Gjatë këtyre 45 viteve, miqësia e tyre është konsoliduar, duke e bërë grupin e ish-oficereve si një familje të madhe.

Femrat e Policisë Ushtarake, kur siguria të vjen nga vajzat me armë

Kjo është një ditë e zakonshme në Komandën e Policisë Ushtarake

Reparti elitar, përveç meshkujve, numëron shumë vajza, që kanë guxuar të bëjnë diçka të pazakontë për një femër: të bëhen nëntetare, komandante toge apo ushtare profesioniste.

Nëse jeni mësuar me idenë se femrat janë të brishta dhe delikate, është momenti të ndërroni mendim. Doriana, Ornela dhe Ardita, janë tre nga 30 vajzat e Policisë Ushtarake, të cilat të lënë pa fjalë kur shikon veprimet që kryejnë…

Qëllojnë saktësisht me snajper, lirojnë pengje gjatë simulimeve stërvitore, hidhen nga ndërtesat e larta me litar dhe shpërndajnë turmat gjatë demonstratave. Këto nuk janë plane të ndonjë skene filmi, por fryti i profesionalizmit të disa vajzave guximtare.

Për ushtaren profesioniste Ornela Koca, mbajtja e uniformës është një privilegj.

“Unë bazohem te fakti që çdo gjë shkon në gen, pasi rrjedh nga një familje ushtarake. Babai im ka qenë polic, ndërkohë që edhe unë u bëra police. Tani jam këtu ku jam”, tha Ornela Koca, ushtare profesioniste.

Tre vajzat janë çertifikuar nga kurset profesionale të NATO-s, duke u konsideruar si më të mirat e grupit. Zgjedhja që kanë bërë, për të mbajtur uniformën, edhe pse nuk është e zakonshme për një femër, u jep shumë kënaqësi.

“Sigurisht që më pëlqen ta mbaj uniformën. E dashuroj atë, e dashuroj këtë punë. Duke qenë kërkuese ndaj vetes, ambicia ime është e madhe. Dua të arrij gjëra që janë shumë të vështira në jetën civile. Edhe pse thuhet që është e vështirë të jetë një femër police, nuk mendoj kështu. Në momentin që është pasioni, asgjë nuk është e vështirë”, shton Ornela Koca.

12% e efektivëve të Policisë Ushtarake janë femra. Që nga formimi në vitin 1992, repartit i janë shtuar vazhdimisht vajza, si ushtare profesioniste apo kriminologe për të analizuar skenat e krimit gjatë ngjarjeve kriminale.

Janë të përgatitura për gjithçka… Teksa veshin pajisjet për të shpërndarë turmat, e ke të vëshirë të mendosh se, përveç punës, pjesa më e madhe janë nëna të përkushtuara me kohë të plotë.

Falë tyre, Policia Ushtarake sot radhitet ndër repartet më të mira të Forcave të Armatosura, duke krijuar një traditë për vajzat që duan të veshin uniformën.

Patrulla e “Shqiponjës”, njësia elitë e policisë

Vajzat e patrullës elitë “Shqiponja” dallojnë nga oficeret e tjera të policisë.

Ana, Edias dhe Zhuljeta, janë tre efektive që përballen çdo ditë me ngjarjet e rrezikshme të kryeqytetit.

Të guximshme, profesioniste dhe modeste, inspektoret e nisin ditën duke veshur pajimet policore në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Përshëndetja me eprorin është gjithashtu një ritual i përditshëm. Pasi marrin direktivat, vajzat dalin për patrullim në zona të ndryshme të Tiranës. Edhe pse janë të reja në moshë, përvoja e fituar gjatë këtyre viteve shërbimi është e madhe.

Për Anën, uniforma krijon një ndjesi të veçantë.

“Unë ndihem krenare për uniformën që mbaj, për punën që bëj. Më pëlqen çdo gjë. Do të doja që të kishte shumë vajza në Policinë e Shtetit. Uniforma nuk është se ka ndryshuar shumë nga jeta ime civile, sot më duket gjithçka normale, më është bërë rutinë e jetës”, shprehet Ana Peqini, inspektore e “Shqiponjave”.

Çdo ditë përballen me vështirësi të shumta, por paçka kësaj, mendojnë se profesioni i zgjedhur është mision. Pas uniformave janë disa vajza të reja, që gjejnë kohë për shoqërinë dhe familjen.

“Është një punë shumë e bukur, por do shumë mund. Kush ka dëshirë ta vazhdojë është me të vërtet shumë e mirë si punë, pavarësisht se është e lodhshme, por edhe lodhja shpërblehet gjithmonë”, thotë Ana Peqini.

Njësia e “Shqiponjave” numëron 55 efektivë, ndër të cilat 7 femra, me gradën inspektore. Të gjitha kanë nivel të lartë profesional, duke treguar përkushtim ndaj uniformës që mbajnë.

Operacioni i fundit i suksesshëm për “Shqiponjat” ishte ndërhyrja si forcë mbështetëse në Lazarat, ku roli i tyre ishte i rëndësishëm. Sot janë vetëm 7 vajza, por në të ardhmen, falë përkushtimit që tregojnë, numri i tyre do të rritet.

Top Channel