Lundrimi me varka, një ditë e paharrueshme në ujrat e Bunës

01/07/2014 00:00

Të rikthehesh pas në kohë dhe t’i japësh vendit tënd, atë që i ka munguar prej më shumë se 70 vitesh.

Ky ka qenë misioni i një grupi qytetarësh shkodranë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme, që të gjithë me dëshirën për të bërë sërish të lundrueshëm liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, traditë e ndërprerë që nga viti 1944.

Udhëtimi masiv i varkave nisi nga “Ura e Bunës” dhe destinacioni ishte lagja turistike “Zogaj”, e cila kufizohet me Malin e Zi.

Që panorama e lundrimit të plotësohej me çdo detaj të sajin, nuk kishte si të mungonte edhe veshja simbolike e piratit. Kush më mirë se aktori i njohur i humorit, Zef Deda, mund ta krijonte një atmosferë të tillë?

“Këtu ka shumë varka dhe, si aktor që jam, mendova të sillja këtu edhe një figurë komike për humor, Sparroë-in, piratin e madh, dhe me veshjen e tij karakteristike të udhëheq gjithë këtë suitë të madhe varkash e motorskafësh, deri në Zogaj. Pra, jam kapiteni, drejtuesi i gjithë lundrimit”, u shpreh Zef Deda.

Mali i Taraboshit, nga njëra anë, dhe rrjedha e qetë e liqenit të Shkodrës, shoqërojnë gjithë rrugëtimin mbi ujë për në “Zogaj”. Kjo ditë i ka të gjithë elementët përbërës për t’u shndërruar në një ditë të paharrueshme.

“Nisemi përpara drejt Zogajve… Lundrimi filloi”.

Shkodranët nuk kanë qenë të vetmit që kanë shijuar ditën e lundrimit. Një grup të huajsh, kryesisht italianë dhe amerikanë, të cilët jetojnë e punojnë në Shqipëri, në këtë ditë kanë vendosur që të ndihen turistë dhe të marrin sa më shumë kënaqësi nga lundrimi. Udhëtimi me varkë u ka lënë shije shumë të mirë.

“Këtu është shumë bukur, ndihem shumë mirë në këtë udhëtim dhe po më lë mbresa. Është vërtet bukur, por ajo që dua të them është që ky lundrim të kthehet në lundrim publik për njerëzit dhe turistët”, thotë Giorgo Faragiano, një turist italian.

“Unë jam nga shteti i Kalifornisë në Amerikë, është bukur, shumë bukur. Madje edhe dita sot është shumë mirë, me motin e duhur për të tilla lundrime”, tha Pavlina Flores, turiste amerikane.

“Kam ardhur këtu prej 7 vitesh. Jam nga shteti i Kolorados në Amerikë. Ky lundrim është shumë i bukur dhe i rehatshëm mbi liqen. Shumë bukur”, vijon një tjetër turist amerikan, Paul Stekanalli.

Mbërritja në “Zogaj” i ka entuziazmuar që të gjithë. Rikthimi i traditës së lundrimit është kombinuar bukur me vlerat, që mbart zona përgjatë liqenit të Shkodrës, si gatimi i tavës aq të famshme të krapit, punimet artizanale dhe bimët e shumta mjekësore.

Mirsadi, një ndër organizatorët, mendon se rikthimi i kësaj tradite do të sjellë përfitime edhe për ata që kanë pasion peshkimin.

“Gjatë shekullit të fundit liqeni e ka ndërprerë të gjithë aktivitetin, si peshkimin ilegal, por edhe festat e shumta e të ndryshme që ka pasur të hershme. Sot, përveç këtij lundrimi që kemi bërë, duam të provojmë edhe peshkimin ligjor, për të promovuar turizmin dhe shumë gjëra të ndryshme që na ofron liqeni”, tha Mirsad Basha, organizator i eventit.

Pas shumë orësh argëtim, kjo atmosferë e përcolli mesazhin e saj për të gjithë: rikthimin e traditës së lashtë dhe të bukur, të lundrimit me varkë në ujrat e liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës.

Top Channel