Irak, dështon seanca e parë e Parlamentit

01/07/2014 00:00

Parlamenti i ri i Irakut shtyu seancën e parë të tij. Pas trazirare të fundit atje, vetëm qeveria e Bagdadit ende nuk ka dhënë asnjë reagim.

Kryeministri al-Maliki dhe qeveria e tij, e dominuar nga shiitët, kanë qenë nën presion të vazhdueshëm nga diplomatët perëndimorë për të përfshirë në Parlament edhe pakicën e sunitëve të Irakut, të cilët pretendojnë se kanë qenë të marxhinalizuar dhe të lënë jashtë procesit politik nga qeveria aktuale.

Diplomatët amerikanë dhe arabë thanë për CNN se Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndihmojnë Irakun në sulmet ushtarake kundër ISIS dhe luftëtarëve të saj aleatë, nëse ende nuk do të jetë formësuar qeveria.

Kjo deklaratë e palës amerikane duket se e ka revoltuar Nouri al-Maliki-n, i cili u shpreh se Shtëpia e Bardhë nuk po vepron drejt, duke i sjellë në vëmendje se Rusia i erdhi në ndihmë me 5 avionët e saj ushtarakë.

Por, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të rrisin praninë e tyre ushtarake në Irak, duke dërguar 300 trupa të tjerë, bën të ditur Pentagoni. Militantët e ISIS “vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim legjitim për Bagdadin dhe rrethinat e tij”, i tha një zyrtar amerikan CNN.

Trupat e rinj do t’i ofrojnë siguri Ambasadës së SHBA-ve në Irak, aeroportit të Bagdadit dhe objekteve të tjera atje.

Top Channel