Lideri i Kalifatit, thirrje muslimanëve

01/07/2014 00:00

Lideri i grupit xhihadist të ISIS-ISIL u ka bërë thirrje muslimanëve të udhëtojnë drejt Irakut dhe Sirisë, për të ndihmuar në ngritjen e shtetit islamik, përmes një mesazhi zanor.

Abu Bakr al-Baghdadi u bëri thirrje muslimanëve të emigrojnë drejt “Shtetit Islamik”, duke thënë se kjo është një detyrë e tyre. Ai bëri një “thirrje speciale” për gjykatësit, doktorët, inxhinierët dhe popullin me eksperiencë ushtarake dhe administrative.

ISIS ka njoftuar formimin e një shteti islamik, apo të njohur ndryshe si Kalifat, në territoret e kontrolluara prej tyre në Irak dhe Siri.

Në një regjistrim të mëhershëm të kësaj jave, Shteti Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL) emëroi Abu Bakr al-Baghdadi-n si kalif dhe “lider të msulimanëve anembanë botës”.

Qeveria qendrore në Bagdad ka humbur kontrollin e një pjese të mirë të territorit të saj ndaj militantëve sunitë, të cilët udhëhiqen prej ISIS, gjatë muajit të kaluar. Grupi thotë se shteti islamik do të zgjerohet nga Aleppo, në Veri të Sirisë, deri në Diyala, provincën lindore të Irakut.

Krimi i një shteti të qeverisur nën ligjet strikte të Islamit ka qenë një objektiv i gjatë i shumë xhihadistëve. “Nxitoni ju muslimanë drejt shtetit tuaj. Po, është shteti juaj. Nxitoni, sepse Siria nuk është e sirianëve, Iraku nuk është i irakenëve”, thotë al-Baghdadi në mesazhin zanor të shpërndarë të martën.

“Ju muslimanë, kudo ndodheni, kushdo që është i aftë të emigrojë drejt Shtetit Islamik, le ta bëjë, sepse emigrimi (hijrah) drejt vendit të Islamit është detyrim”, shtonte ai.

Ai bëri thirrje gjithashtu ndaj luftëtarëve xhihadistë të përshkallëzojnë luftimet gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit, që nisi të dielën.

OKB ka bërë të ditur se të paktën 2417 irakenë, përfshi 1531 civilë, janë vrarë nga “aktet barbare të dhunshme të terroristëve”, në Qershor. Shifra nuk përfshi vdekjet në provincën e Anbar-it, ku autoritetet irakene thonë se 244 civilë kanë vdekur.

Top Channel