Shqipëria firmosi marrëveshjen për pjesëmarrje në programin e ardhshëm 7 vjeçar të Unionit në fushën e kërkimit dhe inovacionit “Horizon 2020”, përmes të cilit, Komisioni Europian synon të krijojë vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik. Për këtë, Bashkimi Europian përcakton gati 80 miliard euro, 60% më shumë se programi i mëparshëm, dhe pjesa që përfton Shqipëria do të varet nga aftësitë në vend për të përgatitur projektet.

“Shkencëtarët e vendeve tona, inovatorët e vendeve tona duhet të bashkëpunojnë e të gjejnë zgjidhje për projekte të përbashkëta  në shërbim të qytetarëve të cilëve u nevojiten këto zgjidhje”, tha Robert-Jan Smits, drejtor i përgjithshëm i KE për kërkimin dhe inovacionin.

“Sigurisht që fitojnë projektet më të mira. Ato që sjellin inovacionin më pranë rezultateve, që sjellin shkencën nga laboratori në atë që sot kërkon tregu i punës. Sigurisht këtu konkurrenca është e hapur. Shqipëria  ka burimet e veta njerëzore por duhet të them se ka shumë punë për të ngritur këto burime njerëzore në kuadrin e një bashkëpunimi të ri që kërkon cilësia e këtyre projekteve”, tha Lindita Nikolla, ministre Arsimi.

Pjesëmarrja e  deritanishme e Shqipërisë në programet europiane vlerësohet e ulët, dhe performanca e treguar nuk lë shumë hapësirë për të shpresuar nga konkurrenca. Në kuadër të programit të 7 të BE-së për kërkimet (2007-2013), që i paraprinte marrëveshjes së sapo firmosur, Shqipëria mori 2.4 milion euro duke marrë pjesë në 35 projekte, çfarë shënon dhe financimin më të ulët të BE-së në krahasim me 5 vendet e tjera që firmosën sot të njëjtën marrëveshje: Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia dhe Moldavia. Në kuadër të informimit me sfidat e programit të ri europian, ministrja Nikolla shpjegoi se në Tiranë po mbahet një takim 2-ditor me akademikë dhe kërkuese shkencor, teksa vijon reforma për arsimin, siç kërkoi KE në raport-progresin e vjeshtës.

“Ne shumë shpejtë, këto ditë marrim raportin përfundimtar te komisionit Gjonçaj për reformën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor,që ngre cilësinë e arsimit të lartë në kryefjalën e ditës, po aq sa dhe kërkimin shkencor në mënyrë jetese tek universitetet shqiptare, në kuptimin e krijimit të qendrave të ekselencës, por edhe të kërkimeve që shkojnë në avangardë të zhvillimeve sociale, ekonomike dhe kulturore të vendit”, tha Lindita Nikolla.

Raporti i fundit vjetor i Komisionit vlerësonte se “kualifikimet nuk përputhen me nevojat ekonomike të vendit” dhe se një “analizë mbi aftësitë” ishte e domosdoshme. Deri në vjeshtën e 2013, Brukseli nuk njihte progres në reformën arsimore dhe skemën e klasifikimit sipas cilësive dhe për nisjen e negociatave në këtë fushë këshillonte, mes të tjerash, masa për sigurinë e cilësisë, trajnim të mësuesve, përvojë të edukimit në praktikë dhe bashkëpunim me sektorin e biznesit, si dhe më shumë transparencë për të luftuar korrupsionin në këtë sektor.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel