Niveli i dobët i maturantëve

02/07/2014 00:00

Plot 10 mijë maturantë mbetën në provimin e matematikës, pasi u vendos rritja e pikëve të pragut, çka nxorri në dukje nivelin e ulët të nxënësve por edhe të mesuesve në shkolla.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi tha se, edhe pse është forcuar administrimi i zhvillimit të provimeve duhet të punohet më shumë.

“Një nga arsyet është niveli i mësimdhënies, që shoqërohet me ngarkesën e teksteve. Universitetet ankohen për studentë jo të mirë në degën e mësuesisë, që më pas japin mësim në shkollat tona. Arsye është prurja e universiteteve me mësues parauniversitarë”, deklaron Vrapi.

Në shkollat private niveli i kalueshmërisë në provimin e matematikës por edhe në notën mesatare të nxënësve është më i lartë se tek  publiku. Çka ngre pikëpyetjen e madhe nëse është kryer si duhet administrimi i provimit?

“Nëse ka një diferencë mes publikut dhe privatit, arsyet janë shumë. Aktualisht s’kemi të dhëna për analiza. I gjithë sistemi i provimeve do analizohet hollësisht për vështirësinë e teksteve, për të bërë krahasimin e shkollave në qytet dhe fshat dhe arsimit publik e privat”, saktëson Vrapi.

Ekspertët kërkojnë që niveli i nxënësve që pranohen në shkollën pedagogjike apo përfundojnë studimet për shkenca egzakte duhet të jetë i lartë dhe të ketë një mesatare për pranimin e tyre.

Top Channel