Doktori që prodhon viruset vrasëse

02/07/2014 00:00

Në të kaluarën ka rikrijuar shkaktarin e gripit vdekjeprurës spanjoll të 1918-s. Tani, në laboratorin e tij, Dr. Yoshihiro Kawaoka, profesor i virologjisë në Universitetin e Ëisconsin-it, përsëriti të njëjtën gjë, vetëm se këtë herë, virusi që i tërhoqi vëmendjen ishte H1N1-shi, arsyeja e epidemisë së 2009-s dhe 500,000 vdekjeve në mbarë globin.

Vetëm se mjeku, i përfolur shpesh herë për iniciativat e tij të diskutueshme, e risjell virusin e rrezikshëm edhe më të fuqishëm se më parë, pasi e ka përshtatur në mënyrë të tillë, që t’i rezistojë sistemit imunitar të trupit të njeriut.

Kritikët e shumtë të Kawaoka-s u hodhën menjëherë në sulm, duke argumentuar se eksperimenti provokues i shkencëtarit e lë praktikisht popullsinë e botës të pambrojtur përballë virusit.

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, H1N1-shi është kthyer aktualisht në një virus të zakonshëm, i cili qarkullon anekënd globit në mënyrë sezonale.

Synimi i Kawaoka-s, sipas mediave britanike, ka qenë konvertimi i virusit në gjendjen e tij para-pandemike, për të parë kësisoj se si ka ndryshuar gjatë katër viteve të fundit.

Kjo lëvizje, për 58-vjeçarin ka dhe një qëllim tjetër, që është përmirësimi i vaksinave të gripit në të ardhmen, e për të arritur një gjë të tillë, shkencëtari këmbëngul se duhej lejuar virusi që t’i shpëtonte anti-trupave, nëpërmjet krijimit të kushteve të nevojshme laboratorike.

Top Channel