Gjermania heq dorë nga borxhet

02/07/2014 00:00

2015 do të jetë viti i parë që pas 1969 që qeveria gjermane nuk do të marrë hua për të mbështetur ekonominë e saj.

Qeveria e kancelares Merkel ka gati projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm ku parashikohet zero huamarrje dhe rritje të shpenzimeve në arsim dhe infrastrukturë.

Ekonomia më e madhe e Bashkimit Europian ishte më pak e prekura nga kriza financiare dhe e mori veten shpejt duke luajtur rolin e lokomotivës dhe për vendet e tjera të Eurozonës.

Megjithatë, ky vendim për të ndalur huamarrjen ka vënë në qendër të kritikave Berlinin se nuk po bën mjaftueshëm për të ndihmuar Eurozonën që të lërë pas krahëve krizën disa-vjeçare financiare që ka shkaktuar miliona të papunë.

Vetë Gjermania e ka ulur papunësinë në nivele rekord, ndërkohë që për 2014 parashikon që të marrë 6.5 miliard euro hua.

“Jemi të fokusuar në rritjen e ekonomisë dhe jo nëpërmjet huamarrjes”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Financave.

Në një afat 3-vjeçar, 2015-2018 Berlini parashikon që jo vetëm të mos marrë më borxhe, por edhe të reduktojë nivelin aktual nga 80 në 70 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Projekt/buxheti pritet të miratohet në muajin nëntor nga Bundestagu dhe sipas analistëve, synimi i Gjermanisë është që disiplinën financiare që po aplikon vetë me sukses, ta eksportojë edhe në vendet e tjera të Eurozonës, njëra prej të cilave është edhe Greqia të cilës tërthorazi i ka imponuar masa të forta shtrënguese.

Top Channel