Kalërimi, ndërmarrje profesionistësh në Gjirokastër

02/07/2014 00:00

Kalorës profesionistë nga e gjithë bota kanë shijuar, me një tur kalërimi, fabulën e rrugëtimit të karvanëve të tregtarëve, gjatë Mesjetës së vonë, nëpër intineraret antike të Zagorisë. Kalërimi, një prej mundësive më të mëdha të turizmit alternativ në Jug të vendit, ka arritur të kthehet në një ndërmarrje profesionistësh në Gjirokastër.

Programi, që i mban kalorësit për 8 ditë në Jug të vendit, kombinon kuaj të vegjël malorë lokalë me historinë e rrugëtimit të karvanëve, befasitë e tyre, qendrat e vjetra të panaireve, infrastrukturën e Mesjetës së vonë, në funksion të shkëmbimeve si urat e vjetra, hanet, karrakollët apo kullat e mbrojtjes së rrugëve tregtare.

Kuajt, një miksim i hershëm mes Tarpanit dhe kalit Arab, janë rezistentë dhe të sigurt për të gjitha terrenet.

Kalorësit turistë e vlerësojnë këtë itinerar, si ndër më të vështirët në Europë, për shkak të nivelit të aftësive të kërkuara, por edhe ndër më të bukurit, për shkak të thyerjeve të shumta të terrenit, sfidave, bukurive të rralla natyrore dhe kulturore, faunës dhe florës së jashtëzakonshme, por edhe njohjes nga afër të jetës së banorëve në këto zona.

Janë gjithsej 5 familje pritëse përgjatë të gjithë programit, që ndajnë me kalorësit pasditet e mbrëmjet e tyre. Ata gatuajnë ushqime tradicionale të secilës zonë dhe ftojnë vizitorët të bëhen pjesë e ritualit të përditshëm të jetës rurale dhe qytetare.

Anna Maria Krätzig është mikrobiologe dhe banon pranë Mynihut në Gjërmani. Ajo dhe i shoqi, Ludvigu, kirurg, e vizitojnë për herë të parë Shqipërinë. Ata mendojnë se Shqipëria, ende e pazaptuar nga turizmi masiv, është vendi ideal për kalërim, vendi ku nocioni i lirisë – sipas tyre – merr kuptim maksimal.

Pjesë e grupit të kalorësve, që kanë zbuluar turin e Zagorisë këtë Qershor, janë edhe tre kalorës francezë. Michel, Alan dhe Odile, flasin për impresione të rralla prej udhëtimit. Me më shumë ngjyrë në fytyrë, për shkak të ditëve të gjata të kalërimit, dhe një spontanitet tashmë të përfituar prej njohjes së natyrës së kuajve dhe njerëzve, kalorësit përgatiten për të njohur Parkun Arkeologjik të Antigonesë, qytetin antik, që mbreti Pirro ndërtoi për Antigonën, gruan e tij të parë. Rrënojat e qytetit, që ndërtoi dashuria dhe shkatërroi urrejtja, janë mjedisi ideal për kalorësit dhe kuajt.

Ilir Hitaj, administrator i qendrës që organizoi turin, thotë se kjo iniciativë nisi si “hoby” dhe më pas u orientua në mënyrë profesionale.

Gjithë itinerari përfshin njohjen, përmes kalërimit në qytetin e Gjirokastrës, të komunave të Lunxhërisë, Odries, Zagorisë, Pogonit dhe Libohovës. Ai përshkon në terren lugina, lumenj, përrenj, pyje, livadhe, mjedis shkëmbor, shtigje malore, deri edhe ngjitjen me kuaj të shkëmbit të Dallëndyshes, një prej momenteve më të vështira dhe më emocionuese të këtij turi.

Çdo vit, prej Marsit deri në fund të Nëntorit, turi frekuentohet prej dhjetra kalorësve të niveleve më të larta të kalërimit, ndërsa “CARAVAN” synon që ky sport dhe turizëm alternativ, njëkohësisht të mund të rijetëzojë fshatrat e izoluar malorë dhe t’u kthejë banorëve shpresën për të jetuar përmes turizmit.

Turi, gjithashtu është duke ndihmuar në promovimin e zonës dhe vlerave të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, mes të të cilave më shumë se 50 monumente kulture të kategorisë së parë, kisha, manastire, ura, teqe, banesa, objekte arkeologjike, që rrezikojnë degradimin.

Top Channel