Reforma në arsimin parauniversitar

03/07/2014 00:00

Reforma në arsimin parauniversitar do të sjellë ndryshime thelbësore jo vetëm në thjeshtësimin e teksteve, por edhe në përgatitjen përfundimtare të nxënësve.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se përveç ndryshimit, reforma në kurrikula ka si qëllim thjeshtësimin e mënyrës së të mësuarit dhe shkathtësimin e nxënësve.

“Zhvendosja drejt kurrikulës së re është ndryshim rrënjësor. Ajo vlerëson si parësor suksesin jo për sa më shumë nxënës, por për të gjithë ata. Kjo sigurisht kërkon rindërtimin e koncepteve profesionale të mësuesve dhe drejtuesve, për përmirësimin e nxënies dhe shkathtësisë së nxënësve. Ne synojmë perfeksionimin e brezave, ndaj po e rimendojmë arsimin”, deklaroi Nikolla.

Tesktet e mbingarkuara, me gabime dhe përsëritje do të rishikohen tërësisht dhe më pas do të trajnohen mësuesit për mënyrën e zhvillimit të mësimit në shkolla.

Njësimi i kurrikulave me Kosovën

Grupi i punës i ngritur për hartimin e kurrikulave të përbashkëta për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në Shqipëri e Kosovë ka përfunduar raportin paraprak që parashikon ndërhyrje në sistemin parauniversitar.

Prezantimi i raportit është bërë gjatë konferencës mbi reformën në arsimin parauniversitar nga Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Në fjalën e saj, Ministrja Nikolla theksoi se modeli i ri i kurrikulave të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës do të sjellë përshtatje me brezin e ri dhe do jetë sipas modelit Europian.

Raporti paraprak i grupit të punës është hartuar në bazë të  konsultimeve me mësues, pedagogë, menaxherë arsimorë dhe studiues të arsimit nga Shqipëria dhe Kosova.

Top Channel