Debati për biletat e invalidëve

03/07/2014 00:00

Invalidët e punës, të cilët sipas ligjit duhet të udhëtojnë falas, që nga data 1 Korrik janë duke udhëtuar me pagesë, pasi shoqëritë e transporteve, të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës për të ofruar shërbim publik, nuk njohin kartën e invalidit, pasi nuk janë subvencionuar.

“Më prenë biletë, se nuk e pranonin. Ia kam paraqitur fatorinos kartën, ja ku e kam. Por preva biletë”, ankohet një e moshuar.

“Neve na kanë thënë të marrim lekët, kështu na kanë thënë. Nuk i njohim ato”, thotë nga ana tjetër një fatorino.

Brenda ambienteve të autobusëve është vendosur dhe një njoftim që paralajmëron udhëtarët invalidë se duhet të paguajnë. Ndërkohë që minsitri i Mirëqënies Sociale ngarkon me përgjegjësi bashkinë e Tiranës, që lejon shoqëritë e kontraktuara të shkelin një ndër pikat e pranuara prej tyre në momentin e liçencimit për të njohur kartat e invaliditetit. Ndërkohë që shoqëritë që po cënojnë të drejtat e invalidëve do t’u hiqet liçenca.

“Kur bashkia zbret invalidët nga autobusi duhet të përgjigjet për disa gjëra. Kur ka dhënë këto liçenca i ka dhënë me kushtin e udhëtimit falas të invalidëve. Qeveria e kaluar kurrë nuk ka krijuar kurrë transferta të tilla si kjo tani, ajo për të ndarë paratë nga bashkia tek autobusi. Kjo është bashkia e vetme që ka këtë problem, pasi bashkitë e tjera e kanë zgjidhur këtë problem me kompanitë e autobusëve. Bashkia e Tiranës nëse kërkon më shumë përgjegjësi duhet ta mbajë. Çmimin e biletave e cakton Këshilli Bashkiak”, ka deklaruar Veliaj.

Ndërsa Bashkia e Tiranës, nëpërmjet një deklarate thotë se qeveria duhet të marrë masa që të zbatojë ligjin që vetë miratoi në Kuvend. Sipas bashkisë, ligji i ri detyron Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Ministrinë e Arsimit të subvencionojnë transportin falas dhe me tarifa të reduktuara.

Presidenti i Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, Sinan Tafaj, i cili është takuar dhe me përfaqësuesin e OSBE-së në Tiranë në lidhje me respektimin e të drejtave të kësaj kategorie, tha se kjo është një e drejtë që po cënohet, ndaj kërkoi që invalidët të mos përdoren nga asnjë forcë politike.

“Ne jemi konsumatorë, jo palë. Se ç’do bëjë Veliaj, do heqë liçencat apo jo, ky është problemi i tyre. Ne kemi një gjë, asnjë fatorino nuk mund t’i ulë ata në tokë, sepse ata janë me një shërbim publik të kontraktuar nga pushteti. Të mos na përdorin neve për qëllimet e tyre politike”, ka thënë Tafaj.

Në ligjin e ndryshuar nga qeveria për transportet rrugore është përcaktuar se fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas përballohen nga isntitucionet përgjegjëse sipas ligjit. Masa dhe kriteret dhe proçedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Minsitrave.

Ne ligj nuk është përcaktuar se cili është institucioni përgjegjës. Nga njëra anë ministria thotë se institucioni përgjegjës është bashkia, ndërsa në anën tjetër Bashkia e Tiranës i jep të drejtë vetes duke u shprehur se institucioni përgjegjës është ministria.

Në ligjin e vitit 2012 autorizohet Këshilli i Ministrave për nxjerrejn e akteve nënligjore që përcakton masat, kriteret dhe proçedurat e kompensimit. Por këto akte që nga ajo kohë nuk kanë dalë nga qeveria e mëparshme por as me ligjin e ri të ndryshuar, ndaj dy institucionet përplasen me njëra-tjetrën për të ndarë përgjegjësitë.

Top Channel