Grafiti, një tjetër formë e artit në Shqipëri

03/07/2014 00:00

Grafiti është një tjetër mënyrë e te bërit art që thyen kornizat e tradicionales. Arti urban varion nga shkrimet e thjeshta të një fjale deri ne piktura 3D.  Herë me gjuhën e shkronjave e herë me figura, qëllimi është të përcjellë një mesazh social ose politik që jo gjithmonë është i lehtë për t’u kuptuar.

Përgjithësisht zgjidhen hapësira publike si muret e shtëpive, ndërtesat, urat, nëpër objekte të vjetra e të dëmtuara për t’u dhënë një funksion, etj.

Jo në pak raste për shkak të prezencës së tyre  të panatyrshme në këto vende konsiderohet si një formë vandalizmi, imponimi në pronën private.

Në vendin tonë deri më tani muret janë përdorur për të shkruar slogane politike dhe kjo rrymë e artit është nën paragjykime. Ky art bashkëkohor, ndërsa për disa është i papranueshëm e i pakuptimtë, për sytë e disa të tjerëve ato janë vepra me vlera.

“Grafiti për mua është një formë arti, por kur është i shprehur në mënyrën e duhur. Në Shqipëri shumë vende kam parë me grafite të veçanta, ndërsa jashtë ka grafite që të lënë pa fjalë”, thonë dy të rinj.

“Shumë e shëmtuar. Ne nuk jemi mësuar me këto zhkarravina. Për mua s’janë të ligjshme. Nuk janë normale. S’janë fare normale”, thonë të tjerë, më të moshuar.

Grafiti është ngushtësisht i lidhur me muzikën hip- hop, break dance- in, punk-un dhe është shumë  i preferuar si mënyrë të shprehuri përmes sprajit, ngjyrave e linjave nga adoleshentët.

Ndonëse lindur në Amerikën e viteve ‘5o në nivel lagjeje ku përfaqsues të kultuarve të ndryshme jetonin së bashku, sot përbën një formë ndërkombëtare aristike. Në shumë vende është bërë aq popullor saqë u janë dedikuar galeri arti.

Gjithsesi vendi i tyre i vërtetë është rruga, sepse aty lindi, mori frymëzimin dhe aty vazhdon të jetojë akoma. 

Top Channel