Ashtu siç kishin paralajmëruar, sindikalistët e Korporatës Publike Energjitike të Greqisë filluan një grevë 48 orëshe duke ndërprerë punën në 13 impiante të prodhimit të energjisë me kapacitet 3.400 megavat. Në funksion mbeten 7 termocentrale me kapacitet 2.200 megavat, si dhe hidrocentralet e vendit.

Sipas kërkesave të bëra gjatë ditës, administratorët e rrjeteve të konjeksionit dhe shpërndarjes do të avancojnë në ndërprerje me rotacion në periudha prej 30 minutash, si dhe në reduktimin e kapacitetit për konsumatorët e mëdhenj të energjisë.

Greva korporatës vjen si rezultat i projetkligjit që pritet të votojë Parlamenti grek për privatizimin e kësaj kompanie. Qeveria e kryeministrit Samaras ka deklaruar se nuk do të bjerë pre e presioneve të sindikalistëve që pengojnë reformat e kërkuara nga kreditorët për privatizime të shumë kompanive shtetërore.

Ai i ka paralajmëruar të gjithë grevistët se do të shpallë mobilizim ushtarak ndaj tyre, pasi nuk do të lejojë ndërprejren e energjisë, sidomos në një periudhë kur vendi pret miliona turistë.

Deri tani nuk janë shfaqur probleme të veçanta, por mbyllja e kaq shumë impianteve mund të shkaktojë një blackout në gjithë vendin në orët e mesditës, kur kërkesa për energji do të jetë shumë herë më e madhe, për shkak të përdorimit të kondicionerëve.

Kreu i Radikalëve të Majtë, Aleksis Tsipras ka mbështetur sindikalistët e Korporates së Energjitikës në grevën e tyre, që pritet të shoqërohet me protesta në qytete të ndryshme të vendit.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të zhvillojë një referendum popullor për të vendosur vetë qytetetarët nëse duhet apo jo të privatizohet kjo kompani shtetërore.

Top Channel