Komisioni qeveritar i Kosovës për personat e zhdukur gjatë luftës ka akuzuar palën serbe se ka bllokuar punën në varrezën masive në Rudnicë të Serbisë, për të kërkuar donacione ndërkombëtare.

Kryetari i komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Prenk Gjetaj ka thënë se Serbia po kryen krime të shumëfishta, pasi njëherë i ka vrarë ata shqiptarë, pastaj i ka zhdukur ndërsa tani po ndalon nxjerrjen e eshtrave të tyre.

“Në vend që të dëmshpërblejë viktimat e luftës, pala serbe kushtëzon gërmimet me kërkesën për të fituar fonde, me arsyetimin se nuk ka mjete për të punuar në varrezën masive. Është befasi e madhe për ne si ekspertë por mbi të gjitha për familjarët, që presin informacione për të dashurit e tyre”, ka deklaruar Gjetaj.

Deri tani në varrezën masive në Rudnicë janë gjetur eshtrat e 45 shqiptarëve të zhdukur, si dhe shumë skelete të cilat pas analizave të ADN-së do të konfirmohen se cilëve persona u përkasin. Nga kjo varrezë janë identifikuar eshtrat e dy personave të fshatit Rezallë.

“Dimë që dy janë nga Rezalla dhe është normale të hamendësojmë sepse në vartësi të lokalitetit njerëzit janë zhdukur në grup. Atëherë i jemi kthyer databazës sonë, ku rezulton se nga Rezalla mungojnë 37 persona, prandaj nuk e përjashtojmë që ata të jenë nga ky fshat. Por numri i skeleteve, 45, bashkë me mbetjet mortore arrin në 50 dhe mund të ketë edhe persona nga lokalitete të tjera. Me të ardhur rezultatet e ADN-së do të dimë se cilit grupim i përkasin dhe do merremi vesh me familjarët për rivarrimin e tyre”, ka thënë drejtori i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Anëtarët e komisionit qeveritar të Kosovës kanë bërë të ditur se javën e ardhshme do të takohen me komisionin qeveritar të Serbisë, ku do të kërkojnë që menjëherë të urdhërohet vazhdimi i punës në kërkim të të zhdukurve, ndërsa për këtë çështje ata do të kërkojnë ndihmë edhe nga ndërkombëtarët. Nga lufta e fundit në Kosovë konsiderohen si të zhdukur edhe 1 mijë e 711 persona.

Top Channel