SHBA, 7-vjeçari mbledh fonde për mikun e tij të sëmurë

05/07/2014 00:00

Quinn është personi më i ri në botë (vetëm 7 vjeç) që ka hapur një faqe online për të mbledhur fonde në  ndihmë të shokut e tij të shkollës që ka një paralizë cerebrale. Është një djalë i mrekullueshëm dhe rezultati është se apeli i tij ka mbledhur 20 mijë dollarë në vetëm pak ditë.

Është shumë e vërtetë fjala që kush gjen një mik gjen një thesar dhe nga Shtetet e Bashkura të Amerikës vjen kjo histori prekëse e 2 fëmijëve 7-vjeçarë.
 
Brayden Grozdanich është i sëmurë dhe ka një paralizë cerebrale që i shkakton vështirësi dhe dhimbje të forta. Por, shoku i tij i shkollës, Quinn Callander, ka hapur një faqe për të mbledhur fonde. Quinn ndërmori këtë nismë për të mbledhur fonde që shoku i tij të mund të kryejë ndërhyrjen delikate dhe të bëjë një jetë si gjithë bashkëmoshatarët e tij.
 
“Brayden ka një paralizë cerebrale, nuk arrin që të ecë mirë sepse muskujt e tij janë të lodhur. Ndonjëherë nuk arrin që të ndjekë ritmin e shokëve të tij dhe kjo e bën atë që të vuajë shumë”, shkruhet në faqen online që është hapur për mbledhjen e fondeve.
 
“Të lutem na ndihmoni që të mbledhim sa më shumë para’ për të ndihmuar shokun tim sepse ai është shumë i mirë”, thotë Quinn në një videomesazh.

Në pak ditë shuma e nevojshme prej 20 mijë dollarësh është tejkaluar dhe Brayden tashmë mund të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale me shpresën për një jetë më të mirë.

Top Channel