Në Shkup edhe të shtunën është protestuar kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm në rastin gjyqësor “Monstra”.

Një grup prej 50 personash nuk kanë protestuar para Gjykatës Themelore në kryeqytet, por kanë gjuajtur me gurë ndaj selisë së partisë shqiptare në pushtet BDI dhe ndaj godinës së komunës së Çairit, që drejtohet nga i njëjti subjekt politik.

Nga sulmet me gurë janë thyer vetëm xhamat e dy objekteve të sipërpërmendura, ndërsa nuk raportohet për dëme të tjera.

Gjatë protestës, që zgjati për më pak se dy orë, gazetarët janë penguar nga protestuesit që të filmojnë situatën. Policia ka arritur të shpërndajë turmën duke përdorur gaz lotësjellës dhe ka arrestuar tre protestues.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar edhe pjesëmarrës të tjerë në protesta, që kanë prishur rendin dhe janë përleshur me pjesëtarët e policisë.

Gjatë ditës së shtunë ka reaguar edhe politika. Partia shqiptare në pushtet, BDI ka bërë thirrje për qetësimin e situatës. Ajo ka shprehur shqetësim për problemet e djeshme dhe ka bërë thirrje për distancim nga dhuna, me pretendimin se ajo pengon angazhimin e kësaj partie për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Nga ana tjetër, deputeti i PDSH-së opozitare, Bekim Fazliu ka akuzuar ish-ministrin e Drejtësisë Blerim Bexheti për rastin “Monstra” dhe për situatën e fundit ka fajësuar edhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, drejtuesit e së përditshmes në gjuhën shqipe “Lajm” nga Shkupi kanë njoftuar se policia ka arrestuar të shtunën reporterin e kësaj gazete, i cili kishte dalë për të mbuluar protestat.

Gazeta “Lajm” ka kërkuar nga policia ta lirojë urgjentisht gazetarin e saj dhe pret reagimin e shoqatave të gazetarëve për këtë rast.

Shkup, mediat qeveritare minimizojnë ngjarjen

Të premten pasdite, Shkupi u ngjante qyteteve të botës ku jeta zhvillohet në mes të tymit nga bombat shokuese e lotsjellëse të policisë dhe gurëve të të rinjve që protestojnë për padrejtësitë që u bëhen.

Por siç duket, kjo nuk i ka shqetësuar së tepërmi mediat pro-qeveritare maqedonase, të cilat e minimizojnë këtë ngjarje dhe e trajtojnë sikurse ajo nuk ka të bëjë me Maqedoninë, por me Lindjen e Mesme.

Apo edhe duke dashur që protestave t’u japin ngjyrimin e rrugaçërisë shqiptare dhe të mirësjelljes së policisë. E përditshmja maqedonase “Dnevnik”, në edicionin e saj online ngjarjet e djeshme i ka quajtur një luftë kundër policisë.

“Luftë kundër policisë për shkak të ‘Monstrës’”, e fillon “Dnevnik” lajmin e saj, ku shton se bëhet fjalë për shqiptarë të padëshiruar edhe nga vetë shqiptarët që e duan bashkëjetesën me maqedonasit.

“Më shumë se 1 mijë protestues, të udhëhequr nga një grup agresiv me të cilët kanë problem edhe shqiptarët që duan bashkjetesën dhe paqen, kanë hedhur gurë kundër policisë dhe Gjykatës Penale në Shkup”, vijon “Dnevnik”, duke publikuar foto, por jo nga ato ku shihet dhuna e policisë mbi protestuesit.

Gazeta pro-qeveritare “Vecer” protestat i ka përshkruar në tekstin me titull “Protesta Monstër: Me gurë kundër policisë”. Edhe kjo gazetë e pasqyron ngjarjen edhe nëpërmjet fotove ku shihen protestuesit e revoltuar, por jo edhe policët që kanë përgjakur të rinjtë shkupjanë.

Nga ana tjetër ekziston edhe e vërteta e medieve në gjuhën shqipe, në të cilat asgjë nuk përputhet me ato që e pasqyrojnë mediat maqedonase.

Gjë që më së miri tregon se si me ngadalë, por pandalshëm, Maqedonia po bëhet shtet i dy shoqërive paralele etnike që me asgjë nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën.

Ambasadori shqiptar, thirrje për ndërprerjen e dhunës

Me një mesazh që përforcon reagimin e Ministrisë sonë të Jashtme, ambasadori shqiptar në Maqedoni, Petrit Bushati iu bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në situatën e tensionuar në Shkup për vetëpërmbajtje.

“Të bëhet ndërprerja e dhunës, ruajtja e gjakftohtësisë dhe vetëpërmbajtjes dhe një gjykim i drejtë, i paanshëm dhe i mbështetur në prova”, apelon Bushati.

Dhuna nuk iu shërben në radhë të parë shqiptarëve atje dhe bashkjetesës harmonike mes etnive, thotë Bushati për Top Channel, i cili megjithëse i pranishëm në konferencën e diplomatëve në Tiranë, ndjek në vijimësi situatën.

“Autoritetet shqiptare shohin çdo zhvillim që ka të bëjë me Maqedoninë, një vend fqinj me të cilin dëshirojmë të kemi raportte të mira. Natyrisht, duhet që shqiptarët të gëzojnë të drejtat dhe atributet e qytetarëve të tjerë në mënyrë të barabartë”, thotë Bushati.

Duke sjellë raportet e mediave, juristëve dhe organizatave të ndryshme që kanë raportuar për mungesë provash në procesin gjyqësor, që ishte edhe shkaku i kësaj situate, Bushati thotë se gjykimi i drejtë dhe i paanshëm do të ndihmonte shumë në zbardhjen e kësaj çështjeje, që ka pasur edhe interpretime të qëllimshme për t’i dhënë karakter etnik, fetar apo terrorist. Por situata më e fundit në Shkup nuk është një rast i izoluar.

“Do të thosha që incidentet lindin edhe si pasojë e rrethanave të çastit, por edhe si pasojë e pakënaqësive të grumbulluara nga moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe rrethanave të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e plota të shqiptarëve. Shpesh herë afatet e zbatimit të marrëveshjes nuk arrihen, por përderisa ajo ka kushte, të gjitha palët duhet të punojnë për implementimin e saj dhe shmangien e dhunës në çdo rast”, shton Bushati.

PD: Të ndalet dhuna në Shkup

Edhe Partia Demokratike ka bërë thirrje për ndaljen e dhunës në Shkup. Qeverisë maqedonase i bëhet apel të ndalë përdorimin e forcës, ndërsa protestuesve shqiptarë të mos bien pre e provokimeve.

“PD shprehet e shqetësuar për situatën në Mqedoni. Bashkëjetesa dhe integrimi euro-atlantik janë jetike për bashkëjetesën në Maqedoni. I bëjmë thirrje policisë maqedonase që të mos përdorë forcën dhe nga ana tjetër manifestuesve që të përmbahen. Rruga për zgjidhjen e situatës është ajo e dialogut”, deklaroi përfaqësuesi i PD, ish-diplomati Kreshnik Çollaku.

Kosova dënon dhunën në Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës po përcjell me shqetësim zhvillimet e dy ditëve të fundit në Shkup, lidhur me protestat e qytetarëve shqiptarë dhe për dhunën e përdorur ndaj tyre nga policia maqedonase.

Përmes një komunikate për media, MPJ e Kosovës vlerëson se situata e krijuar nuk i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës ndërmjet etnive në Maqedoni dhe u bën thirrje palëve që të shmangin veprimet e dhunshme dhe të tregojnë vetë-përmbajtje e maturi.

Në komunikatë thuhet se Ministria e Jashtme do të vazhdoj t’i ndjekë me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe konsideron se dhuna nuk është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur mospajtimet, në një shoqëri të ngritur mbi themelet e dy etnive më të mëdha dhe bashkëjetesës ndërmjet tyre.
 

Top Channel