SHBA, valë ndëshkimesh për bankat

05/07/2014 00:00

Tre ditë më parë Dhoma Federale e Financave në SHBA gjobiti BNP Pariba me një shifër rekord prej gati 9 miliardë dollarë për thyerje të sanksioneve amerikane. Arsyeja ishte se banka franceze ka kryer veprime financiare të ndaluara me klientë në Kubë, Iran dhe Sudan.

Gjoba marramendëse ndaj gjigandit francez, që tejkalon me 2 miliardë dollarë fitimet e saj për vitin e kaluar, është vetëm dënimi i fundit në radhë, që autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë ndaj bankave vitet e fundit.

Të dhënat e publikuara nga prestigjozja “Financial Times” tregojnë se që pas vitit 2008, kur bota u përfshi nga kriza ekonomike, masat ndëshkuese ndaj institucioneve financiare janë shumëfishuar. Sipas “FT”, në total në 6 vitet e fundit autoritetet amerikane kanë mbledhur si gjoba ndaj bankave mbi 120 miliardë dollarë.

Veç thyerjes së sanksioneve, arsyet e dënimeve marramëndëse lidhen me thyerje ligji, korrupsion, mashtrime financiare, apo veprime që bankat kanë kryer në dëm të klientëve.

Dhe rastet nuk kanë qënë të pakta. Që nga skandali britanik me manipulimin e qëllimshëm të normave të interesit, deri te shitja e instrumentave financiarë toksikë pak përpara krizës.

Por mbi të gjitha, mësymja reflekton presionin e publikut ndaj autoriteteve për të ndëshkuar ata që shihen si përgjegjësit kryesorë të krizës. Reçesioni, më i egri në një shekull nisi pikërisht nga bankierët, por kostot marramendëse të tij po i paguajnë qytetarët kudo në botë.

Për dekada me radhë bankat kanë qenë të pashqetësuara nga rregullatorët publikë që i mbikëqyrin ato. Por që pas krizës, paqja, e cila për shumë ekonomistë ishte fryt i kapjes së institucioneve, tashmë duket se ka marrë fund. Të paktën në vendet e zhvilluara, ku demokracia është e fortë.

Top Channel