Krim i trefishtë në familje

06/07/2014 00:00

Një vrasje e trefishtë tronditi fshatin Grec të Komunës Pezë, në Tiranë. Tre persona të familjes Kolgjini u gjetën të vdekur orët e paradites së të dielës.

Viktimat janë dy vëllezërit Ferit dhe Ramadan Kolgjini, përkatësisht 60 dhe 55 vjeç, si dhe bashkëshortja e Feritit, Sulltane Kolgjini, 50 vjeçe, të cilët kanë pasur në trupat e tyre plagë të shkaktuara me armë zjarri.

Forca të shumta policore, të Drejtorisë së Qarkut Tiranë, pasi bënë rrethimin e zonës, morën në pyetje anëtarë të tjerë të familjes Kolgjini, por ende nuk mundën të dalin në përfundimin e shkaqeve, pasi nuk janë të qarta as motivet, as edhe dinamika e kësaj tragjedie.

Në të dhënat e para, të marra në vendin e ngjarjes, policia ngriti dyshimin për një krim brenda familjes, ku dyshohet që Ferit Kolgjini të ketë qëlluar mbi të vëllanë dhe bashkëshorten, pastaj është vetëvrarë. Por, provat në vendngjarje kanë ngritur edhe një tjetër dyshim, atë të implikimit të personave të tjerë në këtë krim të trefishtë.

Policia gjeti në vendngjarje dy armë zjarri, një pushkë dhe një çifte, ndërsa numri i gëzhojave nuk korrespondonte me plagët që kanë viktimat në trupat e tyre. Për këtë arsye, policia po heton edhe mundësinë, që ky krim të ketë ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të familjes Kolgjini me ndonjë familje tjetër.

Megjithatë, gjithçka do të sqarohet sapo të kryhen ekspertizat balistike të armëve. Sipas të afërmve të familjes Kolgjini, kjo e fundit ka pasur konflikt me një tetër familje, për shkak të një krushqie të prishur mes tyre. Kjo arsye e ka shtyrë policinë të hetojë edhe në këtë drejtim, pavarësisht se krimi brenda familjes mbetet pista kryesore në hetime.

Policia ka mbetur e rezervuar në deklaratat për mediat, pasi në orët në vazhdim pritet të mbyllë ekspertizat e saj, bazuar edhe në provat që gjeti në vendin e ngjarjes, si edhe autopsitë dhe ekzaminime të tjera shkencore.

Top Channel