Pas Shkupit protestat janë shtrirë edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë.  Të dielën në sheshin e qytetit në Tetovë është organizuar një protestë ku qytetarët kanë protestuar kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm në procesin gjyqësor “Monstra”.

Protestuesit tetovarë të cilit nga sheshi i qytetit u nisën në drejtim të selisë qendrore të BDI-së që ndodhet në Tetovë, janë përleshur me policinë e cila ka përdorur gaz lotsjellës për të mos i lejuar atyre t’i afrohen selisë së partisë shqiptare në pushtet.

“Kjo është një protestë e vonuar sepse ky nuk është procesi i fundit i montuar ndaj shqiptarëve, por sipas asaj që ka ndodh deri tani besoj se protesta të ngjashme do të kemi edhe në të ardhmen nëse nuk i ndërpresim njëherë e përgjithmonë këto keqtrajtime që na i bën ky shtet”, tha Murati Gjini, protestues.
“Unë kam dal kundër atyre që ua kam dhënë votën. Ç bëjnë ata njerëz. Sot nuk di çfarë të them para mediave kur vëllezërit e mi dënohen me burgim të përjetshëm. E pyes vetën ku jemi në Afrikë?”, u shpreh Rufat Rufati, protestues.  

Paralelisht me protestat në Tetovë, shqiptarët kanë protestuar edhe në Shkup, Gostivar, Dibër e Strugë. Në këto qytete protestat kanë përfunduar pa incidente. Në mbështetje të protestave, një ditë më parë, ka dal partia Demokratike Shqiptare në opozitë.

“E drejtë është që të protestohet për çfarëdo padrejtësie që ndodh edhe për rastin e fundit “Monstra” , por protesta duhet orientuar aty ku duhet. Pa dyshim edhe një herë ju them se ne i mbështesim protestat, mirëpo ne jemi edhe koka intelektuale dhe racionale e kombit shqiptar këtu. I bëj thirrje të gjithë shqiptarët që mos ta humbin shpresën tek procesi demokratik, dhe e dyta mos ta humbin shpresën tek aleatët tonë perëndimor, NATO-ja UE-ja dhe SHBA-ja”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH.

Ndërkohë, lidhur me situatën e fundit ka reaguar partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e cila akuzon mediat shqiptare për paragjykime dhe akuza direkte dhe indirekte ndaj kësaj partie në lidhje me vendimin e marrë nga gjykata në rastin “Monstra”.

Në reagimin e kësaj partie maqedonase thuhet se, VMRO-DPMNE-ja asnjëherë nuk do të lejonte, të ushtrohet presion mbi gjyqin apo gjyqtar, për çfarëdo rasti, më së paku të kërkojë që disa njerëz të dënohen me burg të përjetshëm kurse ata të jenë të pafajshëm.

Top Channel