Kapet krokodili në ishullin e Kretës

07/07/2014 00:00

Xhiron e botës po bën në rrjetet sociale, por edhe në mediat botërore, lajmi se një krokodil është gjendur në ishullin e Kretës, një ambient aspak i përshtatshëm për rritjen e këtij lloji.

Zvarraniku i rrezikshëm është zbuluar rastësisht, në një digë lumenjsh të zonës së Rrethimnos, nga një patrullë e zjarrfikësve, të cilët kur e kanë parë, jo vetëm që janë çuditur, por edhe kanë lajmëruar banorët e fshatrave përreth, të mos i afrohen vendit ku ai jeton.

Sipas organeve greke, me siguri që krokodili është lënë në këtë vend nga dikush, që e ka mbajtur në fillim në shtëpi dhe më pas nuk ka pasur mundësi ta rriste. Dy ekspertë zvarranikësh, nga Muzeu Natyror i Iraklios, që janë thirrur për të organizuar operacionin e kapjes së tij, shpjegojnë se ai ka mbijetuar duke ngrënë ndonjë rosë ose ndonjë shpend të ngordhur, pasi në këtë periudhë metabolizmi i tij është i ulët.

Është rasti i parë, kur një zvarranik i këtij lloji gjendet në Greqi dhe, padyshim, publikimi i lajmit dhe i disa videove në mediat vendase ka ngjallur kërshëri dhe kuriozitet të madh te banorët, por edhe te turistët e huaj, që nxitojnë të bëjnë fotografi dhe video në liqenin, ku ai është zbuluar.

Agjencia për Zhvillimin Natyror të Kretës, në bashkëpunim me Departamentin e Zjarrfikësve dhe forcat e policisë, mendojnë të vendosin një gardh mbrojtës në vendin ku është shfaqur krokodili, kamera për të zbuluar se ku ndodhet saktësisht, si dhe tabela në greqisht dhe në anglisht për të informuar vizitorët, se ndalohet përkohësisht noti në liqenin e kësaj dige.

Ajo që shqetëson më shumë autoritetet është fakti se ka zëra që thonë se në këto ujëra nuk ndodhet vetëm një, por dy krokodilë, dhe se çfarë mund të ndodhë nëse gjenden në periudhën e çiftëzimit të tyre.

Top Channel