Reforma në arsimin e lartë duket se do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin arsimor në Shqipëri. Ai që hyri në detajet e këtij ndryshimi ishte kryeministri Edi Rama, i cili, edhe pse foli pas prezantimit të draftit përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë, dha disa mesazhe të qarta për rrugën që do të ndjekë arsimi në vend.

Rama tha se, në Dhjetor, agjencia Enka do të përfundojë rankimin dhe akreditimin e të gjitha universiteteve, një pjesë e të cilave mund të mbyllen, nëse nuk plotësojnë kriteret.

“Një ndër agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare, që ka filluar punën përgatitore, për të bërë një vlerësim të të gjithë universiteteve, që do të përfundojë në muajin Dhjetor. Besoj që nuk them asgjë të re, por mbase mund të tingëllojë si e tillë, sepse përgjithësisht preferohet të mos thuhet, që duhet të jemi të përgatitur në Dhjetor, të kemi një rezultat të ngjashëm me Maturën Shtetërore për universitetet, në mos edhe më tronditës”, tha kryeministri Rama.

Një tjetër mesazh ishte ai për unifikimin e teksteve shkollore. Kryeministri Rama tha se skema e atlertekstit do të mbyllet, pasi është një skemë fitimprurëse për shtëpi botuese të ndryshme.

“Fund altertekstit, fund teksteve që prodhohem për qëllime fitimi pa asnjë filtër, pa asnjë institucion shkencor që i çertifikon dhe pa asnjë përgjegjshmëri historike dhe morale, në raport me një brez të tërë, që është degjeneruar nga ky grup i pashoq i mbledhur bashkë injorantësh në pushtet dhe injorantësh që kanë uzurpuar pushtetin në shkencë”, shtoi më tej Rama.

Pika kyçe e draftit të arsimit të lartë mbetet financimi i universiteve, i cili do të monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Financimit, ku bordi miratohet nga Ministria e Arsimit, pasi janë propozuar nga senatet.

“Ky bord shikon shëndetin dhe mbarëvajtjen financiare, përcakton përdorimin e fondeve, buxheti hartohet te departamenti, e kemi theksuar vazhdimisht që gjithçka nis te departamenti, aprovohet në strukturat përkatëse akademike të ndryshme deri te Senati, por ky bord shikon se si do të përdoren këto fonde, si do përdoren këto financa të universitetit. Ka nevojë që universitetet tona të kenë një përgjegjësi qoftë financiare, qoftë akademike dhe këto janë të ndara”, u shpreh profesor Arjan Gjonçaj.

Edhe pse drafti parashikon rritje të tarifave, për studentët e Bachelor-it, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike, shteti merr përsipër jo vetëm pagesën e tarifës, por edhe një bursë për jetesën.

“Për herë të parë sugjerohet që tarifat dhe shpenzimet e studentëve në nevojë të mbulohen plotësisht nga shteti në nivelin Bachelor, gjithashtu të mbështetet edhe studenti që vjen nga shtresa në pamundësi ekonomike, nga familje që me mund e sakrifica shohin te formimi i të rinjve mënyrën më të shëndetshme për të investuar ato pak të ardhura, të vëna mënjanë me mund ndër vite”, tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Kreu i qeverisë tha se bursa do të ketë edhe për ata studentë, që do të ndjekin programe të caktuara, për të cilat vendi ka shumë nevojë.

Top Channel