Keshilli i Lartë i Drejtësisë i tha ‘JO’ ministrit të Drejtësisë, një muaj pasi ai u kërkoi anëtarëve të votonin shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Gjin Gjoni. Pavarësisht një padie në prokurori për fshehje të pasurisë dhe hetimeve që po zhvillohen ndaj Gjin Gjonit, KLD ka mbrojtur në bllok gjyqtarin në fjalë.

Me vetëm një votë pro shkarkimit, të dhënë nga anëtari më ri i ardhur nga Kuvendi, Sokol Çomo, dhe votën e 12 anëtarëve kundër shkarkimit, KLD vendosi të refuzojë në këtë mënyrë kërkesën e ministrit Naço, i cili doli para këshillit duke iu referuar raportit të ILDKP-së dhe argumentave se fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive për të cilat dyshohet gjyqtari i Apelit cënojnë rëndë figurën e një gjyqtari.

Të vetmit që nuk votuan ishin anëtari Gjoni dhe ministri Naço, të cilët sipas ligjit nuk mund të shpreheshin me votë. Menjëherë pas rrëzimit të kërkesës për ta shkarkuar Gjin Gjonin si gjyqtar, burime të rezervuara thanë se ministrit iu kërkua që të propozonte një masë tjetër disiplinore, sikundër e parashikon ligji, por ministri nuk ka pranuar duke u shprehur se e vetmja kërkesë e tij është ajo e shkarkimit.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura që për çështjen “Gjoni” zgjati një orë, gjyqtari në fjalë, njëherësh edhe anëtar i KLD-së, u mbrojt duke replikuar se sipas tij akuzat nuk qëndrojnë. Duke e konsideruar këtë çështje si një sulm politik të koordinuar për shkak të disa gjykimeve sipas tij ndaj disa ministrave aktualë, Gjoni tha se po sulmohet për presion për procese gjyqësorë që ka ende në shqyrtim.

Gjoni nuk pranoi të sqaronte në detaje çështjen e pasurisë, duke thënë se ILDKP nuk ka pranuar bashkëpunimin dhe nuk u dha asnjë detaj se cilët janë këta ministra që ai ka në gjykim, ashtu sikundër nuk jepen të dhëna as në Gjykatën e Apelit.

Me këtë vendim, KLD pritet të vihet në qendër të polemikave dhe debateve, në një kohë kur vetë çështja e korrupsionit në drejtësi është shndërruar në temë dite në vend.

Janë të shumta akuzat ndaj gjyqtarëve të korruptuar apo vendimeve të dyshimta, sikurse edhe thirrjet e shumë aktorëve politikë vendas dhe kmunitetit ndërkombëtar për nevojën e një reforme të thellë në drejtësi.

Gjatë ditës KLD votoi masën disiplinore “vërejtje me paralajmërim” për gjyqtarin Andri Ymeri, rrëzoi kërkesën për shkarkim nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuçi, pasi sipas KLD, masa e kërkuar nga ministri është më e rëndë sesa shkeljet e kryera prej tij.

Për dy gjyqtarët e rrethit gjyqësor Elbasan, Bujar Musta dhe Ilir Pashja, KLD vendosi të shtyjë shqyrtimin për kërkesat për proçedim disiplinor për shkak të pamundësisë së gjyqtarëve të paraqiteshin për të thënë fjalën e tyre.

E po ashtu u shty edhe kërkesa tjetër për gjyqtarin e denoncuar nga emisionin investigativ “Fiks Fare”, Shtjefen Lleshi, për të cilin kërkohet shkarkimi. Fjala e tij do të dëgjohet në KLD së bashku me të tjerët, në një mbledhje të posaçme që do të zhvillohet këtë të premte.

Odiseja e hetimit të Gjin Gjonit, ILDKP e akuzon për 2 mln euro

Prokurorisë së Përgjithshme i kanë mbetur shpresat për momentin tek Gjykata e Lartë, në bazë të një rekursi me të cilin kërkon të pranohet këmbëngulja e saj për të pezulluar nga detyra gjyqtarin e Apelit, Gjin Gjoni.

Pezullimi nga detyra i gjyqtarit Gjoni u bazua në kallëzimin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pak muaj më parë për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentash, për pasuri që kapin afërsisht shifërn e 2 milionë eurove.

Dosja ku denoncohej edhe bashkëshortja e tij dhe dy noterë fillimisht u depozitua në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila shpalli moskompetencën dhe ia kaloi për hetime njësisë task forcë më të afërt me Tiranën, që ndodhej në Elbasan.

E ndërsa ILDKP deklaroi se kishte gjetur shkelje të shumta si edhe mospërputhje me deklaratat e pasurisë së Gjin Gjonit, por edhe kishte konstatuar falsifikim dokumentash, prokuroria me dyshimet se për shkak të detyrës gjyqtari mund të vinte në rrezik marrjen e provave, kërkoi pezullimin e tij si gjyqtar. Kërkesa që në të dyja gjykatat u rrëzuan njëra pas tjetrës.

Kërkesa për shkarkimin e Gjonit u bë për llogari të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Elbasanit, e cila u pa si më e volitshmja pasi mund të shmangeshin njohjet e supozuara të gjyqtarit në prokurorinë e kryeqytetit.

Gjin Gjoni u bë pjesë e gjyqësorit shqiptar që në vitin 1994 dhe ka dhënë dhjetëra vendime në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë për 15 vitet që pasuan.

Që prej 2009-s, Gjin Gjoni, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, u bë emër i lakueshëm publikisht për vendimin qe i dha lirinë shtetasit turk Abdulselam Turgut, një trafikant droge i shumëkërkuar nga drejtësia gjermane, e për të cilin Apeli vendosi arrest shtëpie me një adresë të përgjithshme “tek kthesa e Kamzës”.

Një arrest shtëpie që u la si për ironi në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë e që i dha mundësinë trafikantit të arratisej lehtësisht. Pas disa garave për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në maj 2013, përveçse gjyqtar në Apel, Gjin Gjoni u zgjodh nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare për në KLD, ku edhe është anëtar i saj prej një viti.

Top Channel