Gazi i rinovueshëm për energjinë e së ardhmes

07/07/2014 00:00

Gazi i ripërtëritshëm po konsiderohet gjithmonë e më shumë si forma e energjisë së të ardhmes.

Inxhinierët gjermanë janë duke testuar sistemet “power-to-gas”, që nga dioksidi i karbonit, uji dhe energjia, prodhojnë gaz metani sintetik.

Sipas “Deutsche Welle”-s, kjo teknologji ka gjasa të mundësojë një furnizim me rrymë 100 përqind të qendrueshëm në kohë.

Qeveria gjermane kërkon të rrisë pjesën e energjive të ripërtëritshme dhe ka vendosur për këtë objektiva konkretë: deri në vitin 2050, Gjermania duhet të përftojë të paktën 80 përqind të rrymës dhe 60 përqind të nevojës për energji nga dielli, era apo energji të tjera të ripërtëritshme.

Por, mbetet e hapur mundësia se si të arrihet kjo dhe, njëkohësisht, një furnizim i qendrueshëm dhe i mjaftueshëm, edhe kur nuk shkëlqen dielli, apo nuk fryn erë.

Të ashtuquajturit sisteme “power-to-gas” mund ta zgjidhnin këtë problem, ky është të paktën mendimi i disa shkencëtarëve dhe inxhinierëve.

Teknologjia në fjalë konsiderohet vendimtare për suksesin e kthesës energjitike. Në parim, procedura është vërtet e thjeshtë, por duket se është e vështirë që të kthehet në një model tërheqës biznesi, për shkak të kostos.

Metani sintetik është shumë i shtrenjtë dhe nuk konkuron dot me gazin natyror, përsa i përket çmimit, por ekspertët mendojnë se situata aktuale mund të ndryshojë me ndihmën e subvencioneve.

Top Channel