Mbi 52% e maturantëve në Kosovë kaluan me sukses provimin shtetëror të maturës. Zv.ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa bëri të ditur se janë në shqyrtim 18 raste të cilat mund të dënohen me 3 deri në 5 vjet heqje të së drejtës për t’iu nënshtruar këtij provimi.

Ndërsa është ngritur kallëzim penal për rreth 160 qytetarë të cilët kanë ndikuar në prishjen e procesit të provimit të maturës, me telefona apo forma tjera të komunikimit, me nxënësit.

“Këtë vit, provimit shtetëror të maturës i janë nënshtruar 42 mijë e 52 maturantë, prej të cilëve 21 mijë e 918, ose 52.1 për qind e tyre kanë arritur rezultat pozitiv.

Kemi pasur një anulim të testit për 122 maturantë, pra këtu përfshihen maturantët të cilët janë larguar nga testi gjatë administrimit të tij, për të cilët është vërtetuar pastaj që kanë komunikuar në rrjete të ndryshme sociale.

Kemi pasur 390 qendra të testimi, kemi pasur të angazhuar rreth 1.500 komisionerë, pastaj 3.000 administrues dhe gjithashtu, siç e dini e kemi përsëritur testin në 7 qendra të cilat gjatë përsëritjes së testit më 5 korrik i kemi riorganizuar në 19 qendra, në mënyrë që të kemi një numër më të vogël të administruesve”, deklaroi Mustafa.

Ndërkohë, prorektori për Mësim në Universitetin e Prishtinës, Qerim Qerimi ka bërë të ditur se konkursi për regjistrimin e studentëve në vitin e parë akademik në nivelin bachelor do të shpallet të martën, më 8 korrik.

UP edhe këtë vit do të pranojë studentë pa provim pranues, por vetëm me pikë të maturës në shtatë njësi akademike, ndërsa zëvendësministri Mustafa ka premtuar se nga viti i ardhshëm numri i këtyre njësive do të rritet.

Top Channel