
Pas rastit të agjentit gjerman që bënte lojë të dyfishtë spiunazhi në favor të shërbimeve sekrete amerikane është dora e CIA-s.
Kështu bëjnë të ditur mediat amerikane, që citojnë burime të mirëinformuara të administratës, sipas të cilave ka qenë pikërisht agjencia që ka rekrutuar personin.
Sipas burimeve, numri një i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës, John Brennan ka kërkuar një takim me krerët e Kongresit amerikan, që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës, për të diskutuar pikërisht mbi këtë çështje.
Arrestimi i agjentit pro-amerikan në Berlin ka ftohur edhe më tej marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Një ditë më parë kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu shqetësimin e saj lidhur me arrestimin e të dyshuarit.
Duke folur për këtë çështje gjatë vizitës në Kinë, zonja Merkel tha se, nëse dyshimet për një agjent të dyfishtë dalin të vërteta, atëherë kjo do të përbënte një thyerje serioze të besimit mes palëve.
“Nëse lajmet rezultojnë të vërteta, atëherë do të jetë një problem shumë serioz. Do të ishte në kontradiktë të plotë me atë që unë konsideroj bashkëpunim në mirëbesim”, tha Merkel.
Ndërkohë, sipas mediave gjerman, ministri i Brendshëm gjerman ka kërkuar nga administrata amerikane sqarime lidhur me rastin.
Top Channel