Naço: Parlamenti të vendosë për KLD

08/07/2014 00:00

Ka zgjedhur metaforën ministri i Drejtësisë, Nasip Naço për të përshkruar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që sipas tij është kthyer në një “bunker” dhe që voton si të ishte një repart ushtarak.

Një ditë pasi u refuzua katër herë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve Gjin Gjoni, Ken Dhima, Klorinda Çela dhe Markelian Kuçi, ministri i Drejtësisë i bëri thirrje Parlamentit për të ndërhyrë.

“Dje, KLD pranoi bashkëfajësinë për gjendjen skandaloze të drejtësisë shqiptare. Shpreh bindjen se qeveria nuk është në kushtet për të bashkëpunuar më me këtë këshill. Limitet e qeverisë për të ndërhyrë janë të njohura, prandaj duhet kërkuar ndërhyrja e Parlamentit. U mbetet deputetëve të vendosin çdo bëjnë me KLD-në: do mbyllin sytë para çdo vendimi skandaloz, apo do të ndahen nga kjo vendimmarrje skandaloze dhe do ndikojnë për një drejtësi të drejtë”, deklaroi Naço.

Pasi solli si shembull rastin e dy anëtarëve të KLD të votuar nga Parlamenti, por që nuk mbështesin ministrin në këtë këshill, ai deklaroi ndarjen me këtë institucion.

“Ne ndahemi dhe distancohemi. Nëse ka korrupsion në drejtësi, ai nuk ka fytyrën e qeverisë por të KLD-së. Ne nuk e kemi përdorur forcën e kartonit, pasi mazhoranca donte të bënte një reformë gjithëpërfshirëse. Por përsa kohë individë dhe disa grupe bëhen pengesë për të frenuar sistemin, të jeni të bindur se mazhoranca do mbetet e vendosur të jetë e pranishme në KLD edhe në mbledhje me dyer të mbyllura”, theksoi Naço.

Refuzimin me 11 vota të KLD për të shkarkuar gjyqtarin Gjin Gjoni, Naço e komentoi kështu: “Është skandaloz. Mjafton të shikoni deklaratën e pasurisë të gjyqtarit Gjin Gjoni. Duhen orë e ditë që të lexohet e gjitha”.

Duke iu referuar deklaratës së kahershme të presidentit, se ka gjyqtarë që e nisin ditën me zarf, ministri Naço iu drejtua atij. “Do kërkoja një bashkëpunim më të ngushtë me presidentin në mënyrë që ato që themi me fjalë t’i bëjmë edhe me vepra. Gjyqtarët janë bërë si Sudja, që fshehin pasuritë”, shtoi Naço.

Qeveria mbështet Naçon
Çuçi: Deputetët të marrin vendim se çdo të bëjnë me KLD-në

Ndërkohë, në mbështetje të ministrit Naço ka dalë ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuci, i cili në emër të qeverisë ka deklaruar se, gjyqësori po pengon përpjekjet e ekzekutivit në luftën ndaj korrupsionit në drejtësi.

“Përpjekja e ministrit Naço për të luftuar korrupsionin ka marrë një shuplakë nga KLD. I bashkohemi thirrjes së ministrit Naço për t’iu drejtuar deputetëve për të vendosur se çfarë do të bëhet me përfaqësuesit e gjyqësorit, pas vendimit të papreçedent të djeshëm të KLD-së për gjyqtarin Gjin Gjoni”, ka thënë Çuci.

KLD kundërshton Naçon
Ministri, pjesë e skenarit për të kontrolluar drejtësinë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, duke i cilësuar ato si pjesë të një skenari për pushtimin politik të drejtësisë nga qeveria.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i këtij institucioni ka deklaruar se, KLD është në funksion të plotë dhe po e lufton fenomenin e korrupsionit në radhët e gjyqësorit.

“Nuk pajtohemi dhe shprehim indinjatën ndaj Ministrit të Drejtësisë. Këto qëndrime janë pjesë e skenarit të parapërgatitur për kontrollin politik të sistemit të drejtësisë. KLD ka qenë në funksion të plotë të detyrës së tij dhe ka penalizuar e do vijojë të penalizojë ashpër e bazuar në prova gjyqtarët që shkelin ligjin”, ka thënë zëdhënësi.

Sipas tij, deklaratat e ministrit të Drejtësisë kanë qenë vetëm “agjitacion dhe propagandë” me justifikimin e luftës kundër korrupsionit.

“E vetmja gjë qesharake nga mbledhja e djeshme ishte se ministri i Drejtësisë nuk provoi dot asnjë akuzë për shkarkimin e gjyqtarëve. Ai gënjeu publikisht kur tha se nuk ka transparencë në KLD”, ka vijuar zëdhënësi.

Ai ka shtuar se, e gjithë kjo fushatë ndaj KLD është “një farsë tragji-komike” që fsheh qëllimin për të kontrolluar politikisht çdo institucion me përgjegjësi publike.

Naço refuzon të propozojë masa të tjera disiplinore

Një ditë pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarit Gjin Gjoni, për të cilin ILDKPI ka depozituar një kallëzim për fshehje ose deklarim të rremë të pasurive, vlerë e cila arrin në mbi 1,8 milionë euro, ministrit iu kërkua që të propozonte një masë tjetër disiplinore, sikundër e parashikon ligji, por ministri nuk ka pranuar, duke u shprehur se e vetmja kërkesë e tij është ajo e shkarkimit.

Po ashtu, KLD ka rrëzuar dhe kërkesat për masa disiplinore ndaj gjyqtarëve Klotilda Çela, Ken Dhima dhe Makelin Kuqja, ku për të tre ishte kërkuar “Shkarkim nga puna”.

Gjatë kësaj mbledhjeje është pranuar vetëm kërkesa për gjyqtarin Andi Ymeri, të cilit i është dhënë masa “Vërejtje me paralajmërim”, ndërsa për tre gjyqtarët e tjerë, Ilir Pashai, Bujar Musta dhe Shtjefën Lleshi, u vendos të shtyhej shqyrtimi i masave disiplinore ndaj tyre.

Top Channel