Komisioni që ka hartuar draftin për reformimin e arsimit të lartë ka kërkuar që të monitorojë nga afër implementimin e tij në universitetet shqiptare.

Profesor Arjan Gjonçaj tha se financimi i universiteteve publike do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara mirë nga një bord i cili përzgjidhet nga Senati dhe miratohet nga Ministria e Arsimit.

“Autonomia financiare do funksionojë që këto institucione të kenë të drejtë ta përdorin si të duan, por në fund të vitit të bëhet matja e përdorimit të këtyre fondeve përmes treguesve të cilësisë së vendosur. Nëse ata janë përmbushur do vijojë financimi, nëse jo penalizimi”, deklaron Gjonçaj.

Ngritja e agjencisë që do t’i japë zhvillim kërkimit shkencor, por edhe agjencia që do të merret me pranimin e studentëve në universitete do t’i japë një tjetër frymëmarrje ciëesisë së universiteteve.

“Dy agjenci janë kryesoret, ajo e kërkimit shkencor, tek e cila duhen shpërndarë para dhe tjetra është ajo e pranimit në universitete, që bën kontrollin e hyrjeve. Standardi i shtetit heq abuzimet”, thekson Gjonçaj.

Profesor Myftar Barbullushi, i cili është pjesë e komisionit të reformës për arsimin e lartë, tha se do t’i jepet fund shumëpunësimit të pedagogëve.

“Ju e dini efektin e shumëpunësimit të pedagogëve, që kishin çuar në një impakt të fortë tek arsimi i lartë. Ne reaguam dhe rievokuam mundësinë e dypunësimit, jo të shumëpunësimit, në marrëveshje me institucionin”, thotë Barbullushi.

Mësimi ‘part time’ nuk do të mbyllet, por do të funksionojë në një formë tërësisht të re. “21.6 për qind e sistemit të arsimit të lartë ishte part time, shtrirja në kohë të jetë deri në dyfishin e kohës së tashme. Numri i studentëve të jetë i reduktuar, programe të jenë masterat profesionalë dhe ekzekutivë dhe jo bachelor dhe master shkencor”, shton profesori.

Drafti i parë për arsimin e lartë pati kundërshtim nga një pjesë e pedagogëve në disa pika kyçe të tij.

Pollo: Rama nuk dha vizion për arsimin
“Propozimet janë minimaliste, do rrëzohen në debatet publike”

Partia Demokratike deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë vizion për reformën në arsimin e lartë, por vetëm gjuhën e urrejtjes ndaj stafit të pedagogëve.

Kryetari i komisionit parlamentar të medias dhe edukimit, Genc Pollo tha se propozimet ishin minimaliste dhe se ato do të rrëzohen në debatet publike.

“Jo vetëm gjuha e urrejtjes që Rama përdor ndaj të gjithëve është e papranueshme, por e reja është se edhe pas një viti kryeministri Rama nuk është pjekur në detyrën e tij për ta lënë pas këtë gjuhë. Sa për propozimet, ato shquhen për tipare minimaliste, negativiste dhe monopoliste, aty ku qarkullojnë paratë. Edhe këto gjysmëkoncepte do diskretitohen më tej gjatë debateve publike”, deklaroi Pollo.

Top Channel