Papa takon të abuzuarit

08/07/2014 00:00

Gjatë 16 muajve të Papatit të tij, Françesku nuk ka dalë në pah vetëm si filantrop dhe reformator. Ai preferon gjithashtu komunikimin e qartë, të drejtpërdrejtë e të kuptueshëm.

Në fund të Majit, Papa argjentinas denoncoi abuzimin e fëmijëve nga priftërinjtë. “Në raste të tilla, toleranca do të jetë zero, – deklaroi ai, duke shtuar se “do të ftonte në Selinë e Shenjtë viktimat e abuzimeve”.

Dhe, e mbajti fjalën: dy irlandezë, britanikë dhe dy gjermanë ishin, këtë të hënë, me Papa Françeskun në meshën e mëngjesit. Në predikimin e tij, Ati i Shenjtë bëri një apologji në emër të kishës. “Vuajtjet e viktimave janë barrë e rëndë në ndërgjegjen e saj”, – tha 77-vjeçari, i cili u kërkoi të prekurve nga abuzimet ndjesë, edhe për faktin që drejtuesit e kishave kishin dështuar “në reagimin e duhur ndaj lajmeve për abuzim”.

Analistët mendojnë se ky gjest i tij përbën një dimension krejtësisht të ri të qasjes ndaj çështjes, që ka gërryer themelet e kishës katolike. Edhe Papa Benedikti XVI është takuar me viktima të abuzimeve seksuale gjatë udhëtimeve të tij, por, deri më tani, ata kurrë nuk ishin ftuar në Vatikan.

Me këtë hap, Françesku u përpoq të tregonte se ky nuk është një ngërç i ndodhur diku në periferi, por në vetë zemrën e kishës. Sipas ekspertëve, një veprim tjetër me vlerë ishte mesha e përbashkët me viktimat. Kjo dëshmon, në këndvështrimin e tyre, faktin që Kisha po merret me këtë problem, ndryshe nga më parë, dhe se tani e sheh si temë të saj.

Që Papa po u kundërvihet me forcë dhe me burime të reja kundër rasteve të abuzimit seksual, këtë e provon qartë edhe krijimi i një komisioni për të sqaruar rastet e deritanishme të abuzimit, i cili përbëhet nga katër burra dhe katër gra, nga priftërinj, por edhe persona laik.

Top Channel