Pallati i Brigadave do të jetë vendi i nderimit të njerëzve të zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Duke i cilësuar të tillë nxënësit e shkëlqyer të shkollave të mesme të Tiranës, kryeministri Edi Rama që ka kaluar mbrëmjen në prani të tyre, në përmbyllje të vitit shkollor tha se ish-Pallati i dikurshëm i Mbretit do të jetë tani vendi i nderimit të njerëzve të zakonshëm që spikasin në fushat e tyre, siç janë edhe këta maturantë që arritën ta mbyllin me dhjeta këtë fazë të arsimimit të tyre.

“Dhjetat tuaja kanë mbrapa presionin e mamit, shtytjen e babit dhe gjithë përkujdesjen e familjes, por në fund të fundit janë rezultat i vendimit që ju keni marrë për të qenë këta që jeni. Nëse këtë vendim e keni marrë kohë më parë dhe sot keni në dorë dokumentin që provon se e keni zbatuar vendimin, unë dua të mendoj se pjesë e këtij vendimi është për të qenë jo vetëm studentë dhe profesionistë të mirë, por edhe qytetarë të mirë”, theksoi kryeministri.

Duke u ndalur në prezantimin e reformës së arsimit të lartë, kryeministri siguroi studentët se do të kenë mbështetjen e qeverisë në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm drejt dijes: “Po vendosim një gur themeli shumë të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të arsimit të lartë dhe veçanërisht për atë pikë të reformës që imponon qeverinë që të financojë mbështetjen me bursa të gjithë studentëve të shkëlqyer.”

Në këtë mbrëmje kryeministri ka bërë edhe një rrëfim të vogël personal mbi fotot e njohura tashmë si “selfie”: “Nëse do më pyesnit se çfarë do të ishte “selfie” më i bukur që do zgjidhje për Shqipërinë, ju them që do ishte një nga fytyrat tuaja.”

Top Channel