Zhvillimet e fundit në Maqedoni kanë mbledhur në Tiranë një grup të rinjsh për të protestuar ndaj asaj që  ata e quajnë  padrejtësi shtetërore e Shkupit ndaj vëllezërve të një gjaku.

Duke valëvitur pankarta ku shkruhej “Shkupi, zemra e Shqipërisë” dhe kënduar këngë patriotike, të rinjtë shqiptarë kanë dashur të demostrojnë se ata janë në krah të mijëra shqiptarëve protestues në qytetet maqedonase.

Nga Zvicra për të mbështetur këtë protestë kishte ardhur edhe kampioni shqiptar i Europës në boks, Nuri Seferi: “Populli shqiptar në Maqedoni nuk është vetëm 1 milion, pasi kanë 9 milionë të tjerë mbrapa, kështu që të mendohen mirë ata që tentojnë të shtypin shqiptarët në Maqedoni. Ne bëjmë apel që të lirohen të gjithë djemtë tanë që janë burgosur me pa të drejtë në Shkup. Keqtrajtimi ndaj shqiptarëve duhet të marrë fund. Ne jemi popull paqedashës, nuk nxisim urrejtje ndaj të tjerëve, mirëpo duam të respektohen të drejtat tona.”

Pjesëmarrësit në protestën e Tiranës thanë se ata janë organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Të gjithë në kor me një zë ata kanë kërkuar një reagim më të fortë dhe dinjitoz prej Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

Top Channel