ISIS kërcënon edhe Sirinë

08/07/2014 00:00

Përhapja e grupit islamik ISIS nuk është kërcënim vetëm për Irakun, por edhe për Sirinë, pasi në deklaratën e kreut të kalifatit, Abu Bakr al-Bagdadi, territori i tyre do të shtrihej në të dy vendet. Qëllimi i ISIS për të përhapur regjimin, duket si një fatkeqësi e dyanshme.

Pas kërkesave të vazhdueshme të irakianëve për ndihmë nga ndërkombëtarët, këtë herë kanë reaguar rebelët sirianë.

Një grup prej 11 batalionesh, që luftojnë xhihadistët në Siri, kanë paralajmëruar se do të ndalin luftimet deri në fund të kësaj jave, në qoftë se ata nuk marrin furnizimet dhe përkrahjen e nevojshme nga qeveritë perëndimore, për t’i mbështetur ata në terrorin e trazirave.

Kërkesa është postuar në faqen e një prej batalioneve në Facebook, ku shprehimisht citohet: “Ne kërkojmë përforcime dhe mbështetje të plotë përballë ISIS, për t’i dëbuar ata nga vendi dhe për të ndalur avancimin në qytetet që tashmë janë të çliruara. E nëse thirrja jonë nuk do të ketë përgjigje, do të jemi të detyruar t’i lemë armët tona”.

Pas kësaj kërkese ka reaguar dhe një nga zëdhënësit e koalicionit sirian, i cili tha se ndërkombëtarët duhet t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, sepse ISIS nuk është një kërcënim vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për Perëndimin.

Nga ana tjetër, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Irak tha për CNN se, situata e trazuar për Irakun, si dhe për Sirinë, ka nevojë për një aksion të mirë koordinuar në të dy vendet. Duke iu përgjigjur më tepër realitetit, me të cilin ambasadori Collis përballet në Bagdad, ai u shpreh se e vetmja mënyrë për të mundur ISIS është përmes një “strategjie gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit”, që përfshin masat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, tha ambasadori Collis.

Më herët, edhe forca të tjera perëndimore i kanë mëshuar idesë se Lindja e Mesme duhet ta zgjidhë krizën, në të cilën janë përfshirë, jo në mënyrë ushtarake, por politike. Duket se qeveria e Al Malikit tashmë ka përparuar, duke dhënë tregues të fortë se ata shumë shpejt do të kenë sërish pavarësi të plotë në rajonin e tyre.

Top Channel