Drafti përfundimtar për reformën në arsimin e lartë është përshëndetur edhe nga anëtarët e Forumit për Liri Akademike, të cilët më parë kundërshtuan disa nga pikat e projektit të parë.

Profesoresha Dhurata Shehri tha se ky draft, i cili së shpejti do të bëhet ligj, ka reflektuar një pjesë të madhe të kërkesave të tyre.

“Duhe filluar që nga fakti, që shprehet se do të rritet, maksimalisht dyfishohet, niveli i financimit të arsimit të lartë, shteti merr përgjegjësi për këtë financim, dhe me të njëjtën masë siç merr përgjegjësinë, po ashtu propozon ndryshimet, ashtu sikurse edhe rrit edhe përgjegjshmërinë e vet. Diçka që ne përgjithësisht biem dakord. Shumë nga kompetencat që menaxherëve ua jepte drafti i parë, ky i dyti ua ka hequr totalisht, duke u marrë vetëm me menaxhimin e parave dhe jo me punën e departamentit”, shprehet profesoreshë Dhurata Shehri, shefe e Departamentit të Letërsisë.

Profesor Agron Gjekmarkaj tha se një pikë kyçe për stafin pedagogjik është rritja e pagave, e cila lidhet ngushtësisht me efikasitetin e tyre në mësimdhënie.

“Drafti është i paqartë sa i përket anës financiare, në lidhje me rrogat e pedagogëve, që është edhe thembra e Akilit besoj. Mendoj që qeveria duhet të angazhohet për këtë. Pagat tona janë minimale, për të mos thënë qesharake. Kështu që nuk mund të ketë një mësimdhënie efikase, në qoftë se docentet, pedagogët, doktorët apo profesorët nuk janë të paguar si duhet. Ndoshta qeveria duhet ta përfshijë këtë kërkesë tonën në draftin e ri, një draft që nga Shtatori-Tetori mund të bëhet ligj”, deklaron profesor Agron Gjekmarkaj, i Departamentit të Letërsisë.

Një pjesë e profesorëve mendojnë se zbatimi i këtij drafti përfundimar në universitete do të jetë i vështirë.

“Atë fleksibilitet uroj që drafti ta ketë, apo ligji nëse mund ta konsiderojmë kaq herët dhe implementimi i tij, që besoj se do të shoqërohet edhe me shumë akte të tjera nënligjore, apo me shumë VKM, udhëzime etj. Shpresoj që të gjitha këto të jenë të tilla, që ta përmirësojnë edhe më shumë. Sidomos financimi i kërkimit shkencor është një gjë që do të shihet me kujdes. Të gjitha qeveritë dhe të gjitha ligjet e deritanishme e kanë thënë që do të mbështesim financimin e kërkimit shkencor, por asnjë deri tani nuk e ka bërë këtë”, shton më tej profesoreshë Dhurata Shehri.

Komsioni, që ka hartuar draftin për reformën e arsimit të lartë, ka kërkuar që të monitorojë nga afër implementimin e tij në universitete.

Top Channel