Armët kimike të Sirisë u blen në Perëndim

09/07/2014 00:00

Pajtimi i Damaskut për shkatërrimin e arsenalit të vetë kimik shmangu një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Siri, ndërsa vetë asgjesimi i armëve të rrezikshme u përshëndet si një përpjekje e shquar ndërkombëtare.

Por nga i mori regjimi i Bashar al Assad përbërësit e armëve që sot Perëndimi është angazhuar t’i asgjesojë? Sipas BBC, të paktën kimikatet dhe elementët e nevojshëm për prodhimin e agjentit vdekjeprurës nervor Sarin, Siria i ka blerë nga firmat britanike.

Një dokument sekret i Foreign Office tregon se bëhet fjalë për lëndë kimike të dërguara në Siri nga mesi i viteve ‘80. Brenda disa ditësh, pritet të mbërrijë dhe konfirmimi zyrtar se firmat angleze i siguruan Damaskut kimikate, të cilat siç pohon dhe regjimi, kanë pasur një vend të rëndësishëm në programin e tij të armëve kimike.

Ministrat pritet të argumentojnë se asokohe nuk kishte rregulla të forta në fuqi që të frenonin veprime të tilla, ndërsa sot kontrollet janë shumë të rrepta. Gazi nervor Sarin është përdorur në disa sulme vdekjeprurëse gjatë konfliktit të përgjakshëm trevjeçar të Sirisë.

Raporti i inspektorëve të OKB-së, i mbështetur në prova të qarta e bindëse, tregoi se raketa tokë-tokë me përmbajtje Sarini u lëshuan në periferitë lindore dhe perëndimore të Damaskut gushtin e vitit të kaluar, një sulm që mori me qindra jetë njerëzish.

Specialistët e konsiderojnë Sarinin si më të fuqishmin e armëve kimike. Ai është tepër toksik, përhapet shpejt dhe mjafton një sasi relativisht e vogël për të vrarë shumë njerëz, siç ndodhi në kryeqytetin sirian.

Top Channel