Garat rinore në ujë, tokë dhe qiell

09/07/2014 00:00

Nëse ka një sport, që konsiderohet garë e mirëfilltë, noti padyshim është i tillë. Adrenalinë, shpirt gare, sakrificë dhe, padyshim, shumë energji e shpenzuar…

Gjithçka për të fituar titullin e notarit apo notares më të mirë. Ledja, Diana, Alesia dhe Ema, janë 4 notare të reja, që këtë vit morën pjesë në kampionatin Kombëtar të Notit për Fëmijë, në grupmoshat 10 deri në 14 vjeç.

Edhe pse mosha e tyre është e vogël, vajzat konsiderohen nga trajnerët si shumë të përgatitura, fakt që tregohet dhe nga numri i kupave apo çertifikatave të marra brenda dhe jashtë vendit. Për trajnerin Dashamir Bregu, kampionati nxit talentet.

“Jemi duke marrë pjesë në aktivitetin më madhor të moshave, Kampionati Kombëtar i Pionerëve, i organizuar nga Federata shqiptare e Notit, dhe si gjithmonë fidanishtja e së ardhmes së notit janë fëmijët, pionerët. Për 3-4 notarë kemi shumë shpresë që do të na nderojnë duke realizuar këtë gjë, që e kemi si ëndërr”, tha Dashamir Bregu, trajner.

Çdo vit, Akuadromi i Tiranës shndërrohet në arenë gare, ku notarët e rinj tregojnë jo vetëm se janë talentët e së ardhmes, por bëjnë gjithashtu krenare familjet e tyre, të cilat, njësoj si trajnerët, janë bërë pjesë e pandarë e garave.

“Është për t’u theksuar se është një brez, që përgjithësisht ka arritur kulmin e masivitetit, dhe nga ky masivitet gjithnjë dalin fidanët më të përgatitur dhe që do të vazhdojnë gjatë. Besoj se brenda 2-3 vitesh do të arrijmë të konkurrojmë denjësisht, në Ballkan dhe më larg”, thekson Dashamir Bregu.

50 metrat e pishinës Olimpike nuk janë asgjë, kur pasioni është i madh. Në përfundim të garave, fëmijët u vlerësuan me çmime sipas kategorive. Konkurimi vlerësoi  ekipet e përfaqësuara, sikurse dhe notarët e rinj.

Ky nuk është eventi i fundit për fëmijët e talentuar. Ekipet do të marrin pjesë në Lojrat Olimpike Rinore “Nanjing 2014”, që do të zhvillohen në Kinë, në datat 16 deri 18 Gusht. Më pas vjen Kampionati Europian në Berlin, si dhe ai Botëror në jryeqytetin e Katarit, Doha.

“Go-kart”, të rinjtë që sfidojnë shpejtësinë

Pak e dinë se pilotët profesionistë të Formula 1, si Michael Schumacher, Fernando Alonso, Ayrton Senna, apo Sebastian Vettel, e kanë nisur karrierën e tyre nga garat e Kartingut, apo siç njihet ndryshe “Go-Kart”.

Sporti i përhapur në të gjithë botën, shumë i njohur nga të rinjtë, prej 15 vitesh ushtrohet dhe në Shqipëri. Juliani, Indri dhe Grisela, një herë në javë mblidhen te pista e Kartingut, për t’i shpëtuar rutinës së Tiranës, apo për të provuar diçka ndryshe.

Nëse provon, qoftë edhe një herë, të ngasësh një makinë të tillë, adrenalina është e siguruar.

“Për herë të parë e kam nisur para 7 vitesh me këtë sport. Kam bërë edhe gara jashtë Shqipërisë, por këtu në këtë pistë gjeta edhe veten, pasi kishte disa kthesa të mira dhe shumë teknike. Është një pasion, për më tepër këtu vjen e shfryn gjithçka ke akumuluar gjatë ditës, duke mos dalë rrugëve të Tiranës. Të jep shumë adrenalinë”, shprehet Olsi Gjoshi, pilot.

Për amatorët, garat bëhen me motor katër kohësh. Profesionistët përdorin një tip tjetër makine, atë me dy kohë.

“Go Karti ka një mjet shumë të thjeshtë por edhe teknik. Duket i krahasueshëm me makinat e Formula 1, struktura duket e ngjashme, por ndryshon shumë fuqia motorrike. Mosha fillestare është 8 vjeç, ka edhe një akademi që merret me këta fëmijë. Pastaj limitet fillojnë e ndryshohen sipas standardeve, ndryshojnë grupet e motorrëve, bëhen më të fuqishëm”, tha Olsi Gjoshi.

Grupi i të rinjve mblidhet shpesh për të organizuar gara të ndryshme. Kulmi i konkurimit u arrit Qershorin e vitit të kaluar, kur dhe u zhvillua kampionati Kombëtar në këtë disiplinë.

“Në botë është ndryshe. Është akademia që mbledh studentët dhe të apasionuarit dhe zgjedh më të mirët mes tyre nëpërmjet sponsorizimeve. Një sezon garash mund të shkojë deri në 100 mijë euro”, shton Olsi Gjoshi.

Përveç djemve, sporti sot ushtrohet dhe nga vajzat. Edhe pse në Shqipëri ka nisur që nga viti 2011, ende nuk është krijuar një traditë garimi. Paçka kësaj, nuk kanë munguar rastet, që pilotë shqiptarë janë vlerësuar me çmime, apo kanë marrë pjesë në konkurse brenda dhe jashtë vendit, duke na bërë krenarë.

Kampionati botëror i fluturimeve aerobatike në Pogradec

Adrenalina që provohet kur fluturon me vela, nuk mund të krahasohet me asgjë të ngjashme. Veshjet e përshtatshme, trajnimi përkatës dhe dëshira për të pompuar me fort zemrën, mund të çoje drejt ëndrrës më të vjetër të njerëzimit: fluturimin.

Një muaj më parë, qyteti i Pogradecit mirëpriti 29 pilotë velash nga e gjithë bota, në kampionatin Botëror të Fluturimeve Aeronautike.

Garat nisën në liqenin e Ohrit, ku pilotët u hodhën në mënyrë krejt të veçantë, duke u tërhequr fillimisht me skaf dhe më pas vinte performanca përpara spektatorëve të shumtë.

Disiplina kishte të bënte me rreth 30 figura aerobatike. Pilotët u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare, në bazë të koefiçentit të vështirësisë së figurave, kalimit nga njëra te tjetra, si dhe mënyrës së uljes.

Garuesit ishin nga 12 vende të botës, si Franca, Portugalia, Argjentina, Kroacia, Zvicra, Belgjika e deri në Kolumbi. Mes konkurrentëve në garë ishte dhe kampioni në fuqi i disiplinës, spanjolli Horacio Lorens Rodrigos, i cili është shpallur 5 herë kampion bote, e njëkohësisht rekordmen në “Guinness”.

Për “njerëzit e ajrit”, në fund të garës u shpërndanë çmimet. Vendi i parë u mor nga francezi Francois Ragolski, i dyti nga një tjetër francez, Eliot Nochez, ndërsa i treti nga spanjolli Felix Rodriguez.

Për organizatorët, aktivitetit kishte dy herë rëndësi. Së pari, ishte hera e parë që një event i tillë botëror u zhvillua në Shqipëri dhe, së dyti, aktiviteti ndihmoi në promovimin e vendit tonë në botë, duke marrë parasysh jehonën në mediat ndërkombëtare.

5 vajza ishin gjithashtu pjesë e garës. Alexandra Grillmayer, nga Hungaria, u shpall si një nga femrat me performancën më të mirë, duke treguar se lartësia tashmë nuk është më tabù për to, mjafton dëshira dhe pak guxim.

Top Channel