Përmes një deklarate të saj, qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Maqedoni duke thënë se po e ndjek me vëmendje situatën atje.

Ekzekutivi kosovar përcjell shqetësimin e tij për rritjen e klimës konfliktuale në vend e u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe të kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtejshëm të gjendjes.

Më tej, në deklaratë u kërkohet autoriteteve maqedonase të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut, konkretisht në këtë rast të mundësojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Qeveria e Republikës së Kosovës apelon gjithashtu për rigorozitet dhe transparencë maksimale në proceset gjyqësore, sidomos në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni, për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndër-etnike.

Shqiptarëve të Maqedonisë ajo u bën thirrje nga ana tjetër të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve e i fton të mos bien pre’ e provokimeve që vijnë prej segmenteve të  caktuara  të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës.  

Top Channel