Një tjetër përplasje fizike ndodhi këtë të enjte mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në Parlament, që u vu re nga mediat nga largimi masiv i deputetëve drejt korridoreve të ketij institucioni dhe zhurmës që vinte prej tyre.

Sërish i përfshirë në konflikt ishte deputeti Gent Strazimiri, këtë herë me deputetin socialist të Lezhës Arben Noka, ndërkohë që më pas u përfshi edhe deputeti tjetër i kësaj force politike, Pjerin Ndreu.

Zanafilla e konfliktit nisi pas disa deklaratave të deputetit Strazimi. “Është e kotë të dilni para policëve dhe të thoni ‘luftoni krimin’, kur keni deputetë që kanë dalë nga bota e krimit dhe i keni sjellë në Parlament. gjithashtu, keni futur policë që janë shkarkuar nga ministrat tuaj”, deklaroi Strazimiri.

“Mund të na thoni se cilët janë këta persona?”, ndërhyri deputetja socialiste Olta Xhaçka.

“I kemi thënë disa herë dhe i këmi bërë publike. Do t’i shohim sërish se këtu do të jemi”, u përgjigj Strazimiri.

Replikat nga vendi u pasuan me akuzat dhe fyerjet jashtë mikrofonit, mes deputetëve të mazhorancës dhe Strazimirit, duke u zhvendosur më pas në korridoret e Kuvendit, ku konflikti u shndërrua në fizik e për të cilin ish-kryeministri Berisha akuzoi kreun e qeverisë, Rama.

“Ky është një akt i shëmtuar dhe i përsëritur me të cilin Edi Rama do të tregojë se kushdo që e sulmon atë, mund t’i ndërsejë horra, kriminelë, vrasës dhe trafikantë. Ky është një provokim i ulët. Unë nuk shoh më hapësirë për opozitën shqiptare në Parlament. Nga tempull demokracie, Parlamenti është kthyer në strofull kriminelësh me të cilin nuk na lidh më asgjë”, tha ai

Ndërsa kreu i qeverisë Rama e dënoi aktin duke i mbetur qëndrimit se ai kërkon dënim maksimalisht të ashpër për deputetët e të dyja palëve. “Kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithmonë kundër çdo forme dhune. Pa diskutim, dhuna fizike e ushtruar nga deputetët do të ketë qëndrim maksimalisht të ashpër, pavarësisht krahut politik”, tha Rama.

Debate për përdorimin e armëve
Tahiri: Ligji përmirëson situatën kaotike. PD: Nuk regullon asgjë

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi tha në Parlament se dy ligjet për armët nuk përmirësojnë aspak situatën e rendit publik në vend, që sipas tij është e rënduar.

“Kjo është gjendja pas 300 ditë qeverisje: 96 vrasje me armë zjarri, 4035 vjedhje në formë grabitjeje, 78 ngjarje me tritol. Të gjitha me armë dhe municione pa leje. Por kryeministri thotë se janë trafikantë, mirë t’u bëhet. Por një kryeministër nuk flet kështu. Kështu flasin vetëm bandat dhe delirantët e sistemit komunist”, deklaroi Halimi.

Por ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se ligji përmirëson situatën kaotike të shpërndarjes së armëve. “Kemi përcaktuar që armët të jenë të markuara me vulën e shtetit shqiptar dhe të mos ketë më armë nga hyjnë që s’merren vesh nga vijnë. Ju vratë 4 njerëz të paarmatosur në bulevard, ndërsa ne me këtë ligj shmangin përdorimin e armëve ndaj protestuesve”, deklaroi Tahiri.

Duke iu rikthyer edhe një herë çështjes së 13 biznesmenëve të vrarë, ministri mbajti të njëjtin qëndrim si një javë më parë duke thënë se një pjesë e tyre ishin trafikantë. “Përcaktoni se çfarë është biznesmen. Sepse ai që me aktivitete kriminale ngre biznesin dhe pastaj cilësohet biznesmen në Parlament nuk është i tillë. Ç’ështe kjo që thoni? E keni gabim”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm akuzoi ish-ministrin e Drejtësisë se sekretaret personale i ka bërë gjyqtare që nuk mund të japin dot drejtësi. “Në këto 23 vjet keni shkatërruar besimin e qytetarëve tek drejtësia, me ata gjyqtarë që dje i kishit sekretare personale dhe sot i emëroni në KLD. Dhe ju flisni për drejtësi!”, u shpreh Tahiri.

Top Channel