Me shumicë votash parlamenti grek ka miratuar mbrëmjen e së mërkurës projektligjin për privatizimin e pjesshëm të Korporatës Publike të Prodhimit të Energjisë.

Ndërsa brenda në parlament diskutohej drafti i ri, jashtë ndërtesës sindikatat e sektorit shtetëror protestonin kundër tij, duke sjellë si argument humbjen e vendeve të punës, konkurencën në treg si dhe çmimet e larta të energjisë që do të duhet të paguajnë konsumator t, fakte që mbështeten edhe nga opozita greke.

Kush ka më shumë rëndësi? Dëshira e popullit grek apo frika juaj? Dëshira e popullit apo kërkesat e trojkës? Kësaj pyetjeje do t’ju duhet të përgjigjeni deri në fund të ditës dhe nuk do të mund të fshiheni. Doni të hipotekoni skemën energjetike të vendit, t’u jepni pasuritë e burimeve të energjisë kapitaleve të huaja duke shitur asetet publike?”, deklaroi kreu i partisë opozitare, Syriza, Aleksis Tsipras.

Votimi i hapi rrugën depozitimit nga partitë e opozitës të propozimeve për zhvillimin e një referendumi popullor lidhur me privatizimin e korporatës energjitike. Nga ana tjetër Ministri i Energjisë ka deklaruar se projektligji i shitjes së pjesshme të kompanisë është në interes të Greqisë sepse do ta bëjë atë më konkurruese.

“Unë besoj se do të jetë një përfitim për ekonominë kombëtare, pr shoqërinë greke dhe për vendin tonë. Ju bëj thirrje të gjithëve për të votuar në favor të këtij projektligji”, u shpreh Janis Maniatis  Ministri i Energjisë.
 
Privatizimi i pasurive shtetërore është pjesë e kushteve të programit të reformave që Greqia ka pranuar nga BE, FMN dhe BQE. Përfaqësuesit e kreditorëve, e ashtuquajtura “Trojka”, kanë mbërritur në kryeqytetin grek dhe po ndjekin nga afër nëse Athina po ecën në rrugën e duhur në mënyrë që të aprovojnë vazhdimësinë e ndihmës financiare.

Në ditën që Greqia del për herë të dyte në tregje brenda dy muajve të fundit, mediat greke proqeveritare i japin një rëndësi të vecantë deklaratës së zv.presidentit amerikan Joe Biden para përfaqësuesve të komunitetit grek në Filadelfia, se Greqia po bën një rikthim të fuqishëm, sidomos me kërkimet për hidrokarbure në zonat detare të saj, të cilat do të ndihmojnë jo vetëm rimëkëmbjen e ekonomisë, por edhe do të ndryshojnë gjeopolitikën e Detit Mesdhe.

Top Channel