Incidenti i ndodhur sërish në korridoret e Kuvendit gjatë punimeve në seancën e së enjtes ka qenë një arsye e mjaftueshme për Partinë Demokratike për të njoftuar bojkotin pa afat ndaj Kuvendit.

Ky ishte vendimi i marrë nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat. Në fund të këtij takimi, ishte kreu Lulzim Basha ai që doli para mediave duke hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës dhe drejtuesve të saj, Edi Rama dhe Ilir Meta.

“Ndërpresim pa afat marrëdhëniet me strehën e krimit (Kuvendin) deri në një vendim tjetër”, tha Basha.

Sipas Bashës dhuna ndaj opozitës në Kuvend është pjesë e një strategjie që daton që nga 2009, vit kur për demokratët janë angazhuar për të marrë pushtetin elementë kriminalë të njohur për lidhjet e tyre me krimin e organizuar.

“Kjo është një strategji e mirëfilltë që daton që nga 2009 për të kapur pushtetin duke angazhuar kriminelë. Aleanca e krimit të Edi Ramës dhe Ilir Metës arriti kulmin më 23 qershor me veshjen me pushtet të personave të njohur si elementë të krimit të organizuar”, deklaroi kreu i demokratëve.

Më tej kreu i PD tha se sipas tij, vendi po shkon drejt një skenari të rrezikshëm, atë të drejtimit nga kriminelët, që për Bashën, është paralajmëruar edhe nga Sekretari Amerikan dhe kreu i PPE-së, Jozef Daul.

“Sot ky skenar është në veprim dhe u kurorëzua me aktin flagrant të dhunës ndaj opozitës parlamentare”, u shpreh Basha.

Megjithatë, pavarësisht se do të mungojë në Kuvend, opozita do të vazhdojë atë që ajo e quan betejë kundër krimit që po rrezikon integrimin e vendit.

“Opozita do të vazhdojë të denoncojë lidhjet kriminale dhe praninë kriminale në gjirin e kësaj shumice në emër, por pakicë në vlerë. Do të përballemi dhëmb për dhëmb dhe sy për sy me krimin. Do t’i dërgojmë një sinjal të fortë dyshes Rama-Meta që po angazhojnë krimin për t’i mbyllur gojën opozitës”, tha Basha.

Cili do të jetë ky sinjal i fortë? Kjo ende nuk dihet. Ajo që është e sigurtë është që ky është vendimi i dytë për bojkot i grupit parlamentar të demokratëve në një kohë të shkurtër. I pari i nisur pas dënimit të deputetit Sali Berisha me 10 ditë nga Kryesia e Kuvendit për fjalorin e përdorur ndaj ministrave të kabinetit qeveritar u thye gjatë vizitës së Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso.

Top Channel