Top Story, reforma e skemës së pensioneve

10/07/2014 00:00

Reformimi i skemës së pensioneve është njëra ndër reformat që synon të ndërmarrë qeveria e re. Në këndvështrimin e qeverisë, skema aktuale e pensioneve po shkon drejt falimentit dhe ndërhyrja është e domosdoshme për të shmangur një skenar të tillë. Por si do të llogariten pensionet e reja dhe pensioni social? Cilat janë propozimet e qeverisë? Kush janë zgjidhjet që ofron ajo? A do të rritet mosha e daljes në pension?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dha përgjigje Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj, eksperti i sigurimeve shoqërore, Naim Hasa, ish-ministri i Ekonomisë Florion Mima dhe analisti Arjan Vasjari të ftuar këtë të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla.

Ministri Veliaj e nisi fjalën e tij me një prezantim të shkurtër për skemën aktuale dhe arsyet që sipas tij e bëjnë akoma më të domosdoshme këtë reformë.

“Reforma është se pensionet janë të pamjaftueshme, pensionet e sotme nuk kanë lidhje me realitetin e cmimeve në Shqipëri. 1mld euro është shumë totale e skemës nga të cilat 450 mln janë subvencione të qeverisë, që do të thotë që kontributet e mbledhura janë të pamjaftueshme. Ajo që po bëjmë ne është një reformë që ka të parin interesin qytetar. Pensioni minimal në Shqipëri është 141 mijë lekë dhe ai maksimal 243 mijë, ndërkohë që pensioni mesatar është 143 mijë lekë. Ky është absurditet”, tha Veliaj.

Ish-ministri Mima dhe përfaqësues i Partisë Demokratike tha se reforma për nga rëndësia është historike, ndaj kërkon një konsensus të gjërë të grupeve të interesit dhe opozitës. Ai tha se skema aktuale nuk është në prag falimenti dhe se po ecën sipas parashikimeve të bëra që në vitin 1993, kur edhe është miratuar.

“Fatkeqësisht kemi një ministër të ri që ka ndërmarrë përsipër një reformë të madhe që do japë rezultatet pas 60 vjetësh. Sot kjo skemë aktuale është 20-vjeçare, është ende foshnje dhe asnjëherë nuk është në prag falimenti”, tha Mima.

Por ministri Veliaj kundërshtoi duke përmendur raportet e institucioneve ndërkombëtare që vlerësojnë skemën si të dështuar.

“Në çdo raport i BB dhe FMN thuhet se skema jonë është drejt falimentit nëse vazhdohet me këtë trend rritjeje subvencionimi. Ne po bëjmë një pjestim më të drejtë të asaj që kontribuohet dhe asaj që përfitohet me pension. Me skemën e re për herë të parë vitin e ardhshëm do të kemi pensione 400-500 mijë lekë. Reforma është një propozim i guximshëm dhe ne kemi vendosur t’i shkojmë deri në fund për të mos harruar edhe pensionin social”, tha Veliaj.

Mima kundërshtoi pensionin social duke e cilësuar atë si “mina e gjithë skemës”. Sipas tij ky pension do të ndikojë negativisht në rritjen e numrit të kontribuesve, që gjithnjë e më shumë do t’i shmangen deklarimit të të ardhurave.

“Zemra e sistemit të sotëm është besimi, dikush paguan me besimin se do të marrë dicka, ndërsa pensioni social është një minë me sahat, rrezikon të gjithë sistemin pasi do të largohen kontribuesit. Kush do të kontribuojë nëse i premtohet një pension sado i vogël qoftë ai?”, thotë Mima.

Për analistin Arjan Vasjari reforma është e domosdoshme, madje ai kërkoi një reformë akoma më radikale se sa propozimi i qeverisë.

“Reforma është e nevojshme dhe duhet të jetë me radikale, më e thellë dhe më e shpejtë. Reforma e propozuar i shkon më shumë përshtat një force të djathtë se sa një force të majtë. Duhet të bëjmë një kirurgji të thellë në sistemin e pensioneve, ose pas një dekade do të na duhet të ndërhyjmë sërish tek kjo skemë”, tha Vasjari.

Mima ndërhyu sërish duke deklaruar se skema ka nevojë për ndryshime, për përmirësim të saj, ndërsa akuzoi se me skemën e re do të rritet mosha e pensionit. Por ministri Veliaj hodhi poshtë akuzën duke thënë se propozimi i qeverisë nuk rrit moshën e pensionit para 2032.

Për ekspertin e sigurimeve shoqërore, Naim Hasa nevoja për reformim të sistemit është e madhe. Ai tha se është një nevojë globale dhe nga kjo nuk duhet të shmanget Shqipëria.

“Problemet me sigurimet shoqërore janë vatër në gjithë botën, të gjithë vendet po ndërmarrin reforma dhe faktor është rritja e jetëgjatësisë. Të gjitha vendet po marrin reforma dhe ne nuk mund të qendrojmë jashtë kësaj. Në 20 vjet, deri në vitin 2005, sistemi ishte i balancuar, me të ardhurat mbuloheshin shpenzimet, pas këtij viti dhe sot deficiti ka ardhur duke u rritur deri në 42 përqind të financimit, pra alarmi ekziston. Kanë ndikuar proceset demografike, numri i personave që kanë dalë në pension është shumë i lartë dhe mosha që futet në skemë, që kontribuon është rritur më ngadalë. Sistemi aktual i sigurimeve shoqërore paraqitet një sistem shumë i lodhur, reformimi është i domosdoshëm. Unë e kam parë draftin dhe kemi organizuar një seminar, sistemi që paraqitet është universal, me një pension social, për personat që kanë punuar jepet një pension mbi bazën e kontributeve që kanë derdhur dhe se treti pensionet profesionale, skema e katërt është sistemi privat vullnetar”, tha Hasa.

Hasa theksoi se është i domosdoshëm krijimi i sektorit privat në këtë fushë, të cilin ai e quajti si e ardhmja e gjithë skemës.

Në pjesën e tretë Ministri Veliaj u ndal tek ish të përndjekurit ku për këtë vit është dhënë një fond prej 18 mln dollarësh, ai tha se reforma për dëmshpërblimin e tyre është mëse e drejtë duke u dhënë paratë fillimisht personave më të moshuar, duke i shlyer plotësisht ata.

Top Channel