Mediat greke bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të së premtes një i burgosur ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë në bark gjatë një përleshjeje të përgjakshme në burgun e Domokosë, pranë Lamias, në Greqinë qendrore.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 e 30 të mëngjesit, kur dy të burgosur grekë që ndodheshin në të njëjtën qeli janë konfrontuar për shkaqe që ende nuk dihen.

Gjatë përleshjes ata kanë përdorur thika artizanale dhe për pasojë njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tjetri është plagosur në bark dhe është çuar urgjentisht në spitalin e Lamias pas ndërhyrjes së rojave të burgut.

Për shkak të ngjarjes, në gjithë burgun është krijuar një situatë e nderë dhe gardianët, rojet e jashtme të ndertesës dhe policia që është thirrur urgjentisht ndodhen në gjendje gadishmërie, pasi ekziston frika e shpërthimit të ndonjë rebelimi të ri nga ana e të burgosurve.

Ende nuk janë dhënë hollësira për identitetin e dy të burgosurve, përveç faktit që janë qytetarë grekë, përkatësisht 32 dhe 48 vjeç.

Burgu i Domokosë është vënë në qendër të vëmendjes së mediave greke pasi qeveria me një projektligj që ka ngjallur shumë diskutime, si dhe një grevë disaditore urie në gjithë burgjet e vendit, kërkon që ta kthejë në një burg të sigurisë së lartë.

Top Channel