PD: Rama urdhëroi dhunën në Kuvend

11/07/2014 00:00

Partia Demokratike iu rikthye ngjarjes së rëndë të një dite më parë në Parlament për të bërë atë që e quajti transparencë të munguar mbi agresionin fizik dhe kërcënimin me jetë të deputetit të opozitës Gent Strazimiri nga dy deputetët e mazhorancës, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.

Partia Demokratike thotë se transparenca është e nevojshme për të kuptuar se urdhëruesi i agresionit të përsëritur ndaj deputetit të opozitës është kryeministri Edi Rama, i cili u akuzua prej zotit Strazimiri se ka futur në Parlament njerëz me të kaluar kriminale, të dënuar në Itali për trafiqe dhe prostitucion.

“Me urdhër të Edi Ramës, deputetja Xhaçka i kërkon Strazimirit të përmendë emrat e deputetëve të inkriminuar. Deputeti Strazimiri iu përgjigj deputetes Xhaçka duke i thënë se kishte mirëkuptim të plotë për detyrën që i kishte ngarkuar Edi Rama me sms, dhe se problemi nuk qëndronte tek ajo por tek shefi i saj. Dhe menjëherë pas kësaj, Edi Rama urdhëroi Arben Ndokën dhe Pjerin Ndreun të agresonin fizikisht deputetin Strazimiri. Në zbatim të këtij urdhëri, deputetët Ndoka e Ndreu goditën dhe kërcënuan me jetë deputetin Strazimiri. Partia Demokratike denoncon ngritjen e infrastrukturës së dhunës në parlament për të goditur dhe kërcënuar deputetët e opozitës, sa herë që ata mbajnë qëndrime që nuk i pëlqejnë Edi Ramës”, deklaroi zëdhënësja Laura Vorpsi.

Partia Demokratike kërkoi përgjigje prej kryeministrit Rama për të shkuarën e dy prej deputetëve socialistë, të përfshirë në konfrontimin fizik me deputetin Strazimiri gjatë dy muajve të fundit.

“Edi Rama spostoi dy kandidate gra nga lista, për t’i hapur rrugën futjes në parlament të Arben Ndokës. Dhe ne sot pyesim sërish publikisht z.Rama. Cila është e shkuara e deputetit të tij të Lezhës, dhe sa vite është dënuar ai në Itali për trafiqe. E pyesim sërish sot z.Rama. Cila është e shkuara e Armando Prengës dhe për cfarë e ka ndjekur policia italiane në vendin fqinj?”, tha Vorpsi.

Qëndrimin në Parlament të kryministrit Rama, Partia Demokratike e cilësoi si legjitimim të dhunës ndaj opozitës dhe kërcënim ndaj saj, ndërsa heshtjen e kryetarit të Kuvendit, që nuk ndërpreu seancën për të dënuar menjëherë agresorët, e cilësoi indirekt si pjesë të planit.

“Më pas Rama u kujdes që të barazonte në shumë media, kurajon e deputetit strazimiri për të denoncuar, me furacakët që kur përmendet krimi humbasin toruan dhe godasin fizikisht. Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë që në emër të interesave të qytetarëve të këtij vendi, në emër të të së ardhmes europiane të Shqipërisë,  të vazhdojë cdo ditë betejën për të denoncuar publikisht me fakte e argumenta, lidhjet kriminale të qeverisë, dhe të dyshes Rama-Meta”, shtoi Vorpsi.

Top Channel