Me protesta janë pritur në hyrje të Ministrisë së Financave inspektorët e BE, FMN dhe BQE, të cilët janë kthyer në Athinë për të parë nëse Greqia është ende në rrugën e duhur për zbatimin e reformave ekonomike të programit të saj të shpëtimit.

Kjo është vizita e parë pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në maj, nga të cilat partitë e koalicionit qeveritar dolën me përqindje më të ulëta se sa parashikimi.

Megjithëse nuk janë bërë të njohura gjithë detajet e takimit të parë të ekspertëve të Trojkës, që do të qëndrojnë një javë në kryeqytetin grek, mësohet se ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për zërat që ekzistojnë se qeveria do të shtrojë çështjen e lehtësimeve tatimore gjatë negociatave aktuale, për boshllëkun financiar që krijohet nga vendimet e gjykatave kundër reduktimit të pagave, si dhe për vonesat në realizimin e reformave të kërkuara.

Por nga ana tjetër, Trojka ka shprehur kënaqësinë për votimin e ligjit për privatizimin e korporatës së energjitikës, si dhe të emetimit të bondit trevjeçar që kreu të enjten vendi, megjithë turbolencat në tregjet ndërkombëtare.

“Investitorët kanë rifituar besimin, ne e shohim në mënyrë të qartë. Eksportet kanë filluar të rriten dhe zhvillimi po rikthehet. Nëse Greqia vazhdon në këtë drejtim, atëherë vendi do të ketë një performancë të mirë ekonomike, një të ardhme të mirë, me konkurrencën ekonomike, zhvillimin dhe rritjen e vendeve te punës”, deklaroi Klaus Regling, kreu i Mekanizmit të Menaxhimit të Stabilitetit Evropian.

Pavaresisht kritikave të Trojkës, Greqia po gëzon një ringjallje të besimit të investitorëve në muajt e fundit dhe dalja e saj në tregje dy herë me radhë është tregues pozitiv për të, megjithëse Athina mohon se po përpiqet të siguroje para për një boshllëk të madh financiar që do të përballojë sapo të mbarojë ndihma prej 240 miliardë eurosh që po merr në vitet e fundit nga kreditorët e saj.

Top Channel