30 përqind e popullsisë shqiptare përbëhet nga të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve janë në kërkim të një vendi pune.

Por edhe pse një pjesë e madhe e bizneseve kërkojnë të punësojnë profesionistë, tregu shqiptar nuk ofron të tillë.

Zv.Ministrja e Mirëqënies Sociale Gentiana Sula në Ditën Ndërkombëtare të Punës, tha se forcimi i arsimit profesional dhe drejtimi i të rinjve jo drejt diplomave fikteve, por drejt profesionalizmit të tyre në zanate do të rrisë ndjeshëm punësimin.

“Oferta për arsim ka qenë e palidhur me tregun e punës dhe gjithë ndryshimet strukturore që reflekton ekonomia sot nuk janë reflektuar në ndryshimin e programeve arsimore, qoftë ato të arsimit të lartë, qoftë të arsimit të mesëm profesional”, thotë zv.ministrja Sula.   

Përmirësimi i arsimit profesional që do të kërkojë rishikim të kurrikulave dhe një lidhje të fortë mes biznesit dhe shkollave mund të çojë në një fuqizim edhe të të rinjve shqiptare.

“Biznesi shprehet qartë dhe thotë që unë do të rritesha më mirë, më shumë nëse do të kisha fuqitë e nevojshme. Është raporti i të bërit biznes për Shqipërinë ku mungesa e arsimit profesional është faktori numër dy se pse bizneset nuk mundin të rrisin volumin e tyre të prodhimeve. Ne jemi të sigurtë që nga njëra anë ka nevojë për të bërë më të punësueshëm rinin, ta kalojmë nga pasive në aktive dhe të rrisim produktivitetin e të gjithë fuqisë punëtore”, shton zv.ministrja.

E ndërsa me qindra të rinj, janë diplomuar dhe e kanë të pamundur të gjejnë vende pune fondi i Kombeve të Bashkuara për popullsinë deklaron se është shumë i rëndësishme zbatimi i strategjive nga qeveria për punësimin e kësaj shtrese dinamike të shoqërisë.

Top Channel