Në një intervistë për Top Channel, ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, u shpreh se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për tensionet në rritje në Maqedoni.

Zonja Nuland deklaroi se nesër në Shkup do të flasë me të gjitha palët për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës.

“Do të jem në Maqedoni të hënën. Siç e dini, jam në një tur të Ballkanit me një delegacion të disa agjencive. Në këtë udhëtim po vizitojmë pesë vende. Një prej arsyeve pse doja të sigurohesha që do të shkonim në Shkup ishte sepse jemi të shqetësuar për tensionet në rritje. Të gjithë kemi punuar shumë si miq të Maqedonisë, për t’i ndihmuar të ndërtojnë një shoqëri të fortë shumëetnike, ku të drejtat në të dyja komunitetet janë të mbrojtura. Prandaj, pres me interes të dëgjoj nga të gjitha palët se si po shkojnë gjërat atje dhe se si mund të ndihmojmë. Folëm pak për Maqedoninë si dhe në bisedat që pata në Malin e Zi. Të gjithë fqinjët janë po ashtu të interesuar të ndihmojnë”, tha Nuland.

Kjo ishte vetëm një pjesë e intervistës që zonja Nuland dha për drejtorin e informacionit në Top Channel, Bledar Zaganjori. Intervistën e plotë të ndihmës/sekretares amerikane të Shtetit, ku ajo flet për reformat, korrupsionin, sistemin e drejtësisë, deklaratën e sekretarit të Shtetit Xhon Kerri disa ditë më parë, mbështetjen politike amerikane, por edhe interesin për investime amerikane në Shqipëri, ju ftojmë ta ndiqni ditën e hënë, në edicionin qendror informativ.

Top Channel