Serbia dhe përfaqësuesit e serbëve të Bosnjës i kanë kuptuar si kërcënime serioze deklaratat e kryeministrit turk Recep Taip Erdogan.

Shpërndarja e një deklarate ku thuhej se, “kush ngacmon boshnjakët myslimanë do të përballet me 100 milionë turq”, kanë bërë që reagimet të jenë të ashpra dhe ambasadorët e Turqisë në Sarajevë, Beograd e Zagreb duket se kanë dhënë sqarime.

Sipas disa informacioneve, Turqia ka kërcënuar me flotën detare. Kjo ka acaruar serbët, ndonëse një gjë e tillë është përgënjeshtruar. Presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik është takuar me krerët serbë, të cilët kanë lutur Turqinë të mos ngacmojë rajonin.

“Ne nuk kemi nevojë të kërcënojmë me ushtri apo në mënyra të tjera pasi nuk kemi nevojë për to. Por, ne do të respektojmë detyrimet tona ndërkombëtare, nuk do të përzihemi në integritetin e askujt, por gjithmonë do ta mbrojmë Serbinë dhe popullin tonë”, ka deklaruar kryeministri serb Aleksandar Vuçiç.

“Turqia dëshiron një Bosnje sipas dëshirës së myslimanëve. Turqia ka trupat e saj në misionin paqeruajtës në Bosnje dhe njëkohësisht ka politikë tifozërie. Qëllimet e saj për ne janë të rrezikshme”, ka thënë nga ana tjetër Dodik.

Serbët kanë thënë se megjithatë, këto deklarata do të jenë thënë pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në Prizren, ku Erdogan kishte thënë “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë”. Diplomacia turke megjithatë është mjaft e angazhuar në rajon.

Top Channel