“Shqip”, turizëm dhe traditë

14/07/2014 00:00

Edhe këtë të hënë në takimin e “Shqip” kryefjala ishte agroturizmi. E ku më mirë se në Fishtë tek Mrizi i Zanave mund të promovohej më mirë kjo fushë e re, por me potenciale të mëdha në turizmin e vendit tonë?

Të ftuarit e gazetares Rudina Xhunga në panelin e zhvendosur në natyrën e Fishtës ishte zv. Ministri i Bujqësisë, Alban Zuzi, gazetarja Eni Vasili, Nikolin Jaka i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe Altin Prenga, pronari i Mrizit të Zanave.

I pari që foli ishte pikërisht Altini. Ai tha se nga përvoja në Itali në fushën e agroturizmit i kishte lindur ideja të hapte një aktivitet të tillë vetë në Shqipëri, jo vetëm si fitimprurës për veten, por edhe për zhvillimin e zonës.

“Që të jesh i suksesshëm në një fushë të tillë duhet të pranosh veten, të pranosh veten kush je dhe nga vjen. Këtë e kanë bërë në Itali dhe këtë bëra edhe unë. Janë mbi 40 familje që shesin mish keci dhe qumështin tek unë. Unë dua të mos shkëputem prej tyre, por druhem se ata do të shkëputem nga unë. Sot ka familje që marrin nga 700 deri në 800 euro në muaj të ardhura nga qumështi dhe mishi që unë blej”, rrëfen ai.

Gazetarja Eni Vasili e cilësoi si unik Mrizin e Zanave dhe tha se është një agroturizëm i mirëfilltë që nuk i lë asgjë mangut sipërmarrjeve të ngjashme në vendet perëndimore. Ajo tha se Shqipëria duhet të përqendrohet në këtë fushë, për të thithur turizmin e kësaj natyre pasi nuk është mjaftueshëm konkurruese për të tërhequr turizmin e jahteve.

“Një vend që në Shqipëri nuk e gjen kund tjetër. Në Itali e kam hasur këtë agroturizëm dhe mendoj që Mrizi i Zanave nuk ka asgjë mangët nga agroturizmi i Toskanës apo i zonave të tjera në Itali. Është e pamundur që të na vijë turizmi i jahteve, por mund të thithim turizmin e kësaj natyre, agroturizmin. Është një nga pikat më të forta që mund të ofrojmë si produkt kombëtar. Të kemi mundësi ta kthejmë në një motor të ekonomisë kombëtare”, tha ajo.

Zv.ministri i Bujqësisë tha se institucioni që ai përfaqëson është duke punuar në të gjitha drejtimet në industrinë turistike, ndërsa sa i përket agroturizmit ai citoi shprehjen “kush krijon përvojë bëhet milioner”.

“Njerëzit duan të përjetojnë një përvojë të re, të ndryshme nga ato që kemi përjetuar kudo kemi qenë. Ajo që na ofron Mrizi i Zanave është dicka e vecantë. I gjithë qendrimi është e gjitha një përvojë e re dhe këto lloj përvojash, përvoja e një fermeri që ne përpiqemi ta fuqizojmë, ta marketojmë ta bëjmë të shitëshme. Njerëzit duhet të bëjnë atë që bëjnë më mirë dhe atje ku janë duke shmangur zhvendosjen dhe dyndjen nëpër pallate”, tha zv.Ministri Alban Zuzi.

Gazetarja Vasili vlerësoi se sipërmarrja e Altinit përtej një sipërmarrjeje turistike është edhe një turizëm patriotik. “Të gjitha produktet këtu janë prodhimi të vendit, të gjitha bio. Ajo që ofrohet këtu është shumë më tepër se sa një përvojë e re”, tha ajo.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka tha se ka një qasje pozitive të qeverisë deri më tani, por shtoi se duhet ndërtimi i një platforme kombëtare për t’i dhënë një hov këtij sektori. Ai u ndal tek infrastruktura.

“Ka shumë punë për të bërë, ka një qasje, ka një orientim të qeverisë, por mendoj që duhet të kemi një platformë. Është energjia, rruga, uji. Janë një sërë përbërësish që bëjnë punën si një e tërë në këtë fushë të turizmit”, tha ai.

Zv.ministri Zuzi solli një vendim të qeverisë që së shpejti do të kalojë edhe në parlament për TVSH-në për prodhimet shqiptare.

“Produktet shqiptare nuk dalin në supermarkete, nuk i gjen në supermarkete, në dyqane gjen vetem qumësht të importuar dhe e gjitha kjo sepse ekziston një TVSH. Ne këtë do të ndryshojmë dhe kjo së shpejti do të kalojë edhe në parlament”, tha ai.

Top Channel