Mbyllen tregjet e mëdha të Tiranës

15/07/2014 00:00

Task Forca e ngritur nga Prefekti i Tiranës në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës ka vendosur mbylljen përfundimtare të tregut të ish-Uzinës Dinamo në Tiranë edhe atij në ish-qytetin e nxënësve.

Sipas relacioneve të paraqitura nga të gjithë aktorët e kësaj Task Force janë konstatuar mangësi të thekusara në struktura dhe të kushteve higjieno-sanitare në tregun e ish-Uzinës Dinamo, ndërkohë që në tregun “Hamdi Pepa” shumica e objekteve janë kioska shitjeje që sipas Task Forcës nuk plotësojnë as kushtet minimale për tregtimin e produketeve ushqimore.

Në relacionet e paraqitura theksohet gjithashtu se shpesh nga këto subjekte ka shkelje të ligjshmërisë fiskale të cilët sfidojnë në mënyrë të hapur institucionet e administratës shtetërore.

Mbledhja e radhës e Task Forcës e cila kryesohet nga Prefekti Sadi Vorbsi, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bzodo, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Tiranë, drejtoria e Rajonale e Mjedisit, kreu i Policisë Bashkiake e të tjerë doli me një vendim për mbylljen përfundimtare të këtij tregu.

Ky vendim do të ekzekutohet nga Policia Bashkiake dhe ajo Shtetit. Ndërkohë përfaqësues të tregtarëve të ish-Uzinës të kontaktuar nga Top Channel, deri në mesditë nuk ishin në dijeni të këtij vendimi.

Ndonëse e kishin paralajmëruar dhe vetë dhe në një farë mënyre e prisnin një vendim të tillë, tregtarët duken të habitur dhe paralajmërojnë protesta, pasi mendojnë se vendimi nuk lidhet me kushtet hiqgjenike, por me zhvendosjen e tyre në një tjetër treg për të liruar hapësirën për llogari të projekteve për ndërtime.

Top Channel