Assadi, “aleat” i Perëndimit

15/07/2014 00:00

Bashar al-Assadi po konsiderohet si e keqja më e vogël në krahasim me grupin terrorist të ISIS-it që mban nën kontrollin e tij territore të tëra në veriun e Irakut dhe Siri.

Në këtë këndvështrim, disa ekspertë kanë diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi të Perëndimit me Damaskun zyrtar, por gjasat e një aleance të tillë janë të pakta. Ofensiva e shtetit islamik në Irak dhe Levant ndryshoi jo vetëm ekuilibrin ushtarak, por edhe perceptimin e konfliktit në Siri. Pë një kohë të gjatë, regjimi i diktatorit Assad konsiderohej si armiku kryesor i Perëndimit në luftën civile.

Pas zgjedhjeve presidenciale të inskenuara në zonat e kontrolluara prej regjimit, këtë të enjte nis zyrtarisht mandati i tij i ri në krye të shtetit. Por, ISIS-i po kthehet për rajonin në një rrezik edhe më të madh se presidenti i Sirisë. Luftëtarët e tij kërcënojnë jo vetëm qeveritë në këtë vend e Irak, por edhe opozitën e moderuar siriane.

Gjithmonë e më shumë xhihadistë nga Europa janë kthyer përsëri në vendet e tyre pas misioneve të luftës ne Siri, çka shton gjasat për sulme terroriste. Duke pasur parasysh këtë zhvillim, ish-shefi i CIA-s, Michael Hayden, deklaroi pak muaj më parë se një fitore e Assadit do të ishte opsioni më i mirë.

Megjithatë, njohës të problematikave rajonale si Joshi Shashank, mendojnë se do të ishte gabim të shihej regjimi i Asadit si mburojë kundër marrjes së pushtetit prej radikalëve islamikë. Në vend të bashkëpunimit me njeriun e paraqitur opinionit publik prej kaq vitesh si keqbërës, thotë ai, qëllimi duhet të mbetet ndryshimi demokratik.

Sipas disa raporteve në media, shërbimet sekrete perëndimore janë duke u përpjekur të përfitojnë nga situata e krijuar dhe me parimin “armiku i armikut tim është miku im”, po mundohen të mbledhin informacione për grupe të ndryshme xhihadistësh.

Top Channel