Rreth 50 zjarrfikës me 20 automjete po luftojnë në veri të gadishullit të Peloponezit me zjarre të mëdha që po shpërndahen në zona të pashkelura të gadishullit për shkak të erërave të fuqishme që fryjnë në këtë zonë.

Dy ditë më parë edhe në Keratea, në jug të Athinës, qindra hektarë pyje janë shkrumbuar nga flakët që kanë kërcënuar edhe zonat e banuara, ndërsa janë mobilizuar me qindra zjarrfikës dhe forca vullnetare për të mposhtur zjarrin.

Shërbimi i Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar se zonat më të rrezikuara nga zjarret në pyje në orët e fundit janë ato në jug dhe në jug-lindje të vendit. Ndërkohë, në veri dhe veri-perëndim të Greqisë, stuhitë verore kanë shkaktuar probleme të mëdha.

Disa rrugë kryesore në qendër të Selanikut u përmbytën për shkak të reshjeve të fuqishme dhe disa lagje pranë portit në qytetin verior kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhitë kanë shkulur edhe pemë në disa raste, të cilat kanë dëmtuar linjat e energjisë elektrike.

Të paktën 100 persona kanë thirrur repartet e shpëtimit pasi ujërat kanë përmbytur shtëpitë apo dyqanet në qendër të qytetit. Probleme ka pasur edhe në aeroportin e Selanikut, ku shumica e fluturimeve të mëngjesit kanë pasur vonesa. Përmbytje janë shkaktuar edhe në zonat përreth si Imathia, Pella dhe Katerine.

Stuhitë verore, që shoqërohen edhe me ulje të temperaturave, pritet të përhapen në orët e ardhshme në të gjithë vendin, ndaj dhe Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka paralajmëruar turistët në zonat detare të kenë kujdes nga rrufetë dhe breshëri i fuqishem, sidomos në Egjeun verior dhe në ishujt e detit Jon.

Top Channel